Gisele Bundchen do të kthehet në pasarelë, një vit pasi deklaroi tërheqjen e saj. Modelja braziliane do ta bëjë këtë me rastin e Lojërave Olimpike të këtij viti që do të zhvillohen pikërisht në Rio de Janeiros.

Bundchen do të jetë një prej protagonisteve në sfilatën e modës që do të mbahet pikërisht gjatë ceremonisë së hapjes së këtyre Lojërave Olimpike më 5 gusht në stadiumin mitik “Marakana”.

Vetë Bundchen ka konfirmuar kthimin e saj në pasarelë, me motivin se këto Olimpike përbëjnë një ngjarje të veçantë për vendin e saj të lindjes.

Ende nuk dihen detajet e ceremonisë së hapjes, por mësohet se Bundchen do të bëjë sfilatë së bashku edhe me personalitete të tjera. Por jo vetëm kaq, do të marrin pjesë në këtë event edhe emrat më të njohur të Brazilit siç janë muzikantët Kaetano Velozo dhe Zhilberto Zhil.

Gisele Bundchen gjithnjë e ka shfaqur dashurinë për vendlindjen e saj dhe në disa raste  nëpërmjet rrjeteve sociale ajo ka dhënë opinionin e saj në lidhje me problemet politike të Brazilit.

Kështu që nuk është aspak një surprizë që ajo pranoi të jetë në një sfilatë mode në vendin amerikano-latin. Për më tepër, prania e një modeleje me famë ndërkombëtare do të rrisë pikët për vetë Lojërat Olimpike që janë tronditur ndjeshëm për shkak të situatës politike në vend dhe virusit Zika.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel