Çifti shqiptar i arrestuar në Nice,  i shitën armën terroristit

18/07/2016 00:00

Një çift shqiptarësh është arrestuar në Francë në kuadër të hetimeve për ngjarjen e tmerrshme, ku mbetën të vrarë 84 persona në Nice. Burime diplomatike bëjnë të ditur për Top Channel se të arrestuarit, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditura, janë një burrë nga Fieri dhe partnerja e tij nga Tirana, që jetonin në Nice.

Ata janë akuzuar për dhënien e ndihmës logjistike për kryerjen e aktit terrorist, për shkak se i kishin siguruar tunizianit Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, një pistoletë automatike 7.65 milimetra, me të cilën ai qëlloi mbi policinë, ndërsa sulmoi me kamion qindra persona në një shëtitore.

Policia, pasi e ekzekutoi kamikazin tunizan, gjeti armën dhe arriti të gjente provat e komunikimit të tunizianit me shtetasit shqiptarë me banim në Nice. Sipas policisë, ata i kanë dhënë ose shitur armën automatike terroristit.

Pas daljes së lajmit për arrestimin e tyre, Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet Ambasadës shqiptare në Paris kërkoi informacion dhe ofroi bashkëpunimin nëpërmjet Interpolit, për ndihmën e ndërsjelltë juridiko-penale për këtë çështje.

Pas ngjarjes janë arrestuar 7 persona, mes të cilëve edhe bashkëshortja e terroristit.

Top Channel