Konçesionarët dëmtojnë pyjet, hiqen liçencat për 10 kompani

15/07/2016 00:00

Ministria e Mjedisit u ka hequr liçencën 10 subjekteve që kishin marrë me konçesion fondin pyjor në qarqe të ndryshme të vendit pasi nuk kanë respektuar pikat e kontratës.

Kreu i Inspektoriatit të Mjedisit, Ergys Agasi i cilëson ata si 10 dëmtutesit kryesorë të pyjeve, kur në fakt duhej të ndodhte e kundërta.

“Kanë devijuar nga projekti për të patur një shfrytëzim më të madh të fondit pyjor. Të dhjeta këto kompani që ishin konçesionarët kryesorë janë kthyer në shkatërruesit më të mëdhenj të fondit pyjor, ndaj dhe ministria ka urdhëruar heqjen e liçencave për to”, deklaron Agasi.

Duke qenë se fondi pyjor tanimë i ka kaluar në pronësi bashkive, Agasi shpjegon se u ka kaluar të gjitha bashkive raportin e bërë nga grupi i punës që ka kryer inspektimin.

“I kemi propozuar këtyre bashkive që me këto 10 kompani të mos vazhdojë kontrata, të bëhet ndërprerja e menjëhershme e tyre dhe të bëhet verifikim i gjithë fondit pyjor që mund të jepet për shfrytëzim për banorët”, thotë Agasi.

Shtatë nga konçesionet për subjketet që do të ushtronin aktivitetin e tyre duke prerë pyjet me qëllim ripërtëritjen ishin dhënë para vitit 2014, ndërsa 3 prej tyre janë dhënë më pas.

Top Channel