“Antagonisti”, dokumentar për Pashkon

14/07/2016 00:00

Figura shumëdimensionale e politikanit, ekonomistit dhe intelektualit Gramoz Pashko, 10 vite pas ndarjes se tij nga jeta, vjen ne dokumentarin “Antagonisti”, i shfaqur premierë të mërkurën mbrëma.

Një dokumentar që tenton të hedhë dritë mbi figurën e Pashkos, nëpërmjet dëshmive të bashkëkohësve të tij, miqve dhe të afërmve.

Regjisorit Roland Sejko i është dashur kohë të njohë nga afër figurën e Pashkos, por teksa ka punuar për ndërtimin e këtij dokumentari, ka njohur hap pas hapi një personazh të veçantë në disa aspekte; një intelektual, protagonist të disa ndryshimeve thelbësore të demokracisë shqiptare.

“Ky dokumentar e konsideron Pashkon ashtu siç e konsideroj unë, një nga personazhet që i kundërvihet sistemit të para ’90-s dhe i kundërvihet edhe një sistemi të ri që komandon më vonë. Është ky antagonizmi i tij ndaj sistemeve, ky antireformist që besoj më ka bërë ta shoh me atë sy që sot do ta shihni edhe ju”, u shpreh Sejko.

Qëllimi i regjisorit është të sjellë para publikut një dokumentar jo vetëm historik, por një dokumentar aktual, ku figura e Gramoz Pashkos të vlejë për të parë historinë e Shqipërisë.

Top Channel