Korçë, 6 skulpturat të reja në Parkun “Rinia”

12/07/2016 00:00

Gjashtë skulptura të reja janë shtuar në Parkun “Rinia” të qytetit të Korçës në përfundim të edicionit të 7 të simpoziumit “Skulpturat e parkut”. Në madhësi dhe forma të ndryshme, 4 skulptorët e huaj dhe dy shqiptarë kanë sjellë punime të perceptuara në mënyrën e tyre.

“Këta skulptorë që vijnë edhe lënë artin e tyre këtu janë ambasadorët më të mirë të qytetit të Korçës. Ata lënë një copëz nga vetja e tyre këtu dhe marrin pak nga Korça për ta çuar atje ku jetojnë e punojnë. Ky është një mision që vetëm arti mundet ta realizojë më së miri”, tha Benila Themeli, nënkryetare e Bashkisë Korçë.

Artistët kanë punuar për 10 ditë, gjatë të cilave kanë zhvilluar artin e tyre në ambiente të hapura, duke e pasuruar fondin e skulpturave në këtë pjesë të konceptuar si muze të artit bashkëkohor.

Artisti Gent Tavanxhi, kurator i aktivitetit, ka theksuar se ky simpozium është një mundësi e mirë e bashkëpunimit të artit, dhe vlerat e tij duhen ruajtur.

“Simpoziumi i skulpturës në Korçë është një ndër eventet më të rëndësishme dhe në mënyrë tipike ka hyrë në historinë e artit shqiptar, si një nga eventet që ka sjellë në Shqipëri artistë të huaj. Më parë kjo nuk kishte ndodhur. Kemi pasur një skulpturë shumë të varfër publike”, tha Gent Tavanxhi, kurator.

Simpoziumi i skulpturës u krijua në vitin 2008, ndërsa përgjatë këtyre viteve, Bashkia e qytetit të Korçës ka pritur dhjetëra skulptorë, të cilët i kanë dhuruar qytetit vepra të artit bashkëkohor në gur.

Top Channel