Ban Ki-Moon, i shqetësuar nga tensionet në gadishullin korean

07/07/2016 00:00

Tensionet e shtuara në gadishullin korean përbëjnë arsye shqetësimi për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, i cili i bëri thirrje me këtë rast Koresë së Veriut të frenohet nga provokimet.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Pekin me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi, numri një i Kombeve të Bashkuara sugjeroi që vendet e interesuara të shtojnë përpjekjet për çtensionimin e situatës. Mediat në Seul shkruajnë se ai ka ftuar presidenten koreano-jugore Park Geun-hye dhe liderin koreano-verior Kim Jong-un në një forum të OKB-së në muajin nëntor në Turkmenistan.

Ftesa shton spekullimet se Ban po përpiqet të organizojë një takim mes dy udhëheqësve, çka, sipas analistëve, nuk është e pamundur, por gjasat e një përballjeje të tillë mbeten të vogla. Vitin e kaluar, shefi i Kombeve të Bashkuara kërkoi dy herë, në maj dhe në dhjetor, që ta vizitonte vendin komunist, por planet e tij në të dyja rastet u rrëzuan për shkak të refuzimeve të regjimit koreano-verior.

Peniani deri tani pak shenja ka dhënë për braktisjen e ambicieve të veta bërthamore, edhe pasi Këshilli i Sigurimit miratoi në muajin mars sanksionet më të ashpra kundër tij për shkak të testit të katërt bërthamor dhe lëshimit të një rakete me rreze të gjatë veprimi.

Top Channel