Sulmi në Bangladesh, viktima u identifikua si agresor

06/07/2016 00:00

Policia e Bangladeshit pranoi se kishte identifikuar gabimisht një person të marrë peng si një prej agresorëve të sulmit vdekjeprurës në një bar-restorant të Dakas, të premten.

Autoritetet thanë fillimisht se forcat e sigurisë kishin vrarë 6 agresorë kur kishin mësyrë pas 12 orësh rrethim lokalin Holey Artisan Bakery, ku mbi 30 vetë po mbaheshin peng, shumica e të cilëve të huaj. Ende është e paqartë se si ka vdekur apo kush e ka vrarë personin e  identifikuar më vone si Saiful Islam Choëkidar, shef picash në restorant.

Fotografia e tij u publikua bashkë me ato të agresorëve të tjerë, por pavarësisht kësaj policia sqaron se ai nuk konsiderohet më si i përfshirë në ngjarje.

Të afërm të kuzhinierit që kishin parë foton e tij mes atyre të terroristëve, kishin protestuar kundër këtij fakti. “Ai nuk ishte një militant, por një njeri punëtor që bënte picat dhe pastat më të mira në Bangladesh”,  tha një kushëri i tij për agjencinë e lajmeve AFP.

Ai tregon se i kishin kërkuar ushtrisë trupin e viktimës, por u kishin thënë se Choëkidat ishte i dyshuar. Qytetarët morën pjesë në një manifestim të heshtur me qirinj në Shaheed Minar, një monument kombëtar në Daka, në homazh të viktimave të sulmit të 3 korrikut.

Policia identifikoi 5 autorët e ngjarjes si Nibras Islam, Rohan Imtiaz, Meer Saameh Mubasheer, Khairul Islam dhe Shafiqul Islam, të cilët vijnë nga familje të pasura të Bangladeshit.

Sulmi që la të vdekur të paktën 22 persona u mor përsipër nga Shteti Islamik, gjithsesi Ministria e Brendshme pretendon se agresorët i përkisnin një grupi militant lokal. Autoritetet e Bangladeshit që monitorojnë rrjetet sociale kishin parë një sërë mesazhesh në “twitter” gjatë së premtes, që sugjeronin ndërmarrjen e ndonjë sulmi. Por, siç bën të ditur një këshilltar politik i kryeministres Sheik Hasina policia besonte se në shënjestër do të viheshin ambasada ose hotele të mëdha.

Top Channel