Mjafton një videoprojektor, disa ndenjëse dhe një qiell i hapur për të na kthyer pas në kohë, në atë që dikur e quanim ‘kinema verore’.

Një grup prej 100 të rinjsh në kryeqytet kanë zgjedhur t’i ndajnë mbrëmjet e të dielave mes tyre, duke shijuar filma të mirë nën kuvertën e yjeve.

“Ka pasur një impakt shumë të madh për njerëzit. Ka pasur më shumë se 100 të rinj të cilët vijnë thuajse çdo javë, ndërsa 50 apo 60 të tjerë i shtohen çdo javë. Këtu mund të vijë çdo person, hyrja është e lirë, nuk ka asnjë lloj pagese për të parë filmin në lulishte”, shprehet Julia Sinanaj, organizatore.

Janë vetë të rinjtë ata që zgjedhin se cilin film duan të shohin, ndërsa shijet bashkohen në një logo: film autor.

“Për mua, kinemaja, teatri, ekspozitat, janë socializim. Ne kemi shumë nevojë që të rrimë dhe të ndajmë më shumë kohë me njëri tjetrin. Për mua një nga gjërat e para është socializimi. Një arsye tjetër është se ne po japim filma shumë të mirë”, shprehet Sinanaj.

Kinemaja verore do të zgjasë deri në fund të muajit korrik, por nuk do të ndalet këtu.

Kjo nismë do të vazhdojë deri në fund të korrikut, ndërsa vitin tjetër ne do ta fillojmë kinemanë që në prill. Në fakt, parashikojmë që të kemi disa kinema, kjo ishte si një test”, thotë organizatorja.

Top Channel