Milva Ekonomi: Procesi i Berlinit po prodhon rezultatet e para

04/07/2016 10:00

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, është duke marrë pjesë në Forumin e Parisit në kuadër të Procesit të Berlinit. “Financimi i projekteve në Ballkanin Perëndimor përfshi zbatimin e reformave në ndihmë të klimës së biznesit” ishte tema e diskutuar nga ministrat e ekonomisë së 6 vendeve nga Ballkani Perëndimor. Ministrja Ekonomi pasi falenderoi qeverinë franceze për organizmin, e quajti Forumin e Parisit si shumë të rëndësishëm dhe një mundësi të shkëlqyer për të ndarë sukseset dhe sfidat njëkohësisht për të mësuar nga njëri-tjetri.

“Ky forum nuk është një zëvendësim i procesit të integrimit europian, por për vendet e Ballkanit Perëndimor në axhendën e tyre politike mbetet ‎shumë i rëndësishëm”, u shpreh ministrja Ekonomi. Qeveria Shqiptare, tha Ekonomi, ka ndërmarrë për herë të dytë “Programin Ekonomik të Reformave” ERP i cili është duke u zhvilluar.
 
Pasi i ka bërë një përmbledhje të gjitha reformave të ndërmarra nga qeveria, ministrja Ekonomi, i bëri një bilanc arritjeve të shënuara nga Shqipëria pas Forumit të Vjenës në Transport, Energjitikë dhe Tregti.
 
“Në kuadër të Bashkëpunimit Rajonal, përparim është shënuar në fushën e transportit hekurudhor e sidomos për hekurudhën Shqipëri-Mal i Zi si dhe dakordësia në pasjen e një linje hekurudhore me Greqinë.  BERZH ka dhënë 35 milion euro grant për financimin e hekurudhës për në Aeroportin Nënë Tereza dhe atë ekzistuese drejt portit të Durrësit”. Inagurimin e linjës të interkonjeksionit 400 KV Shqipëri-Kosovë, Ministrja Ekonomi, e quajti si shembullin më të mirë se Procesi i Berlinit është duke i dhënë frytet e veta për krijimin e një tregu të përbashkët energjitik në rajon.
 
Gjatë fjalës së saj Ministrja Ekonomi u shpreh se: “Energjia dhe Transporti janë njëra anë e rëndësishme e ndërlidhjes në rajon. Por të gjitha reformat e ndërmarra apo ato që do të zhvillohen në të ardhmen me qëllim lehtësimin e tregtisë nuk do të prodhojnë rezultatet e pritshme pa pasjen e politikave të kthjellta për industrinë dhe klimën e biznesit. Kjo do ta ndihmonte Ballkanit t’i bashkohej zinxhirit të vlerave të BE-së në sektorin e Ekonomisë”.
 
Shqipëria, tha ministrja Ekonomi, në 2015-ën rishikoi dhe aprovoi disa ligje të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me Zonat e Lira Ekonomike, Investimet Strategjike, Koncesionet, Partneritetin Privat dhe Turizmin. Ministrja Ekonomi vlerësoi strukturat e CEFTA-s të rëndësishme për rajonin në rritjen e eksporteve në rajon. “Eksportet shqiptare me vendet e Ballkanit përpara nënshkrimit të marrveshjes me CEFTA ‎ishin 7% ndërsa sot rreth 15 %”.
 
Në fund të f‎jalës së saj, ministrja Ekonomi, theksoi se Shqipëria mbetet e vendosur në këtë process, pasi beson se ky është shansi ynë për tu zhvilluar së bashku, performuar më mirë e si pasojë kjo do të sjellë më shumë të mira për qytetarët tanë. Në këndvështrimin e ministres Ekonomi sfidat e së ardhmes për Ballkanin Perëndimor lidhen me thellimin e bashkëpunimit sipas planit të aprovoruar nga CEFTA, Planin e Përbashkët të Veprimit hartuar nga Banka Botërore si dhe ato që njihen si “masat e buta” ‎pëfshi ato të sanksionuara në Traktin për Energjinë. “I ftoj ministrat e Ekonomisë dhe Tregtisë së rajonit të ndërmarrin së bashku një rol proaktiv dhe udhëheqës duke i kthyer  politikat ‎për lehtësimin e tregtisë dhe ndërlidhjes një histori suksesi për rajonin”, tha Ekonomi.

Top Channel