Arabi, hidhet në erë pranë Konsullatës së SHBA-ve. Nuk shkakton viktima

04/07/2016 00:00

Një person hodhi veten në erë në afërsi të Konsullatës së Shteteve të Bashkuara në qytetin saudit Jeddah (Xhedah), por ndërhyrja e shpejtë e rojeve të sigurisë ka qenë vendimtare në frenimin e një masakre të mundshme.

Efektivët mbetën të plagosur lehtë pasi tentuan ta ndalonin të riun, ndërsa askush tjetër nuk u lëndua. Sulmi erdhi mëngjesin e ditës që kremton Pavarësinë e Amerikës dhe pak përpara se të falej Namazi i fillimit të agjerimit përpara festës së Bajramit.

Konsullata amerikane në Jeddah është mësyrë nga militantët edhe në vitin 2004, kur prej sulmit të atëhershëm humbën jetën 9 vetë. Departamenti i Shtetit konfirmoi se stafi i misionit të tij diplomatik ishte shëndoshë e mirë.

Rojet e sigurisë nisën të dyshonin për të riun pas lëvizjeve të tij jo normale në parkingun e makinave të spitalit “Dr Suleiman Faqeeh”, i cili ndodhet përballë konsullatës. Në kohën kur ata kanë nisur të lëvizin drejt personit në fjalë, ai shpërtheu eksplozivin që kishte në trup, duke vrarë veten e askënd tjetër.

Menjëherë pas ngjarjes, Ambasada amerikane në Arabinë Saudite lëshoi një paralajmërim, duke u kërkuar të gjithë shtetasve amerikanë në vend të tregoheshin vigjilentë e të merrnin masa shtesë kur të udhëtonin në pjesë të ndryshme të mbretërisë saudite.

Top Channel