Turqi, analistët: Sulmet, hakmarrje për shkak të politikës së jashtme

01/07/2016 00:00

Mund të kenë qenë pikërisht politikat e jashtme turke ato që i hapën derën sulmit terrorist në aeroportin Ataturk të Stambollit dhe atmosfera e tensionuar që ka përfshirë të gjithë Turqinë, më shumë gjasa do të vazhdojë të zgjasë edhe për disa kohë.

Në kohën kur vendi përballet me pasojat e episodit të dhunshëm të së martës mbrëma, disa analistë e vënë gishtin e fajit tek përpjekjet e fundit diplomatike të Ankarasë për sulmin e përgjakshëm që erdhi pak pasi Turqia dhe Izraeli shpallën fundin e hasmërisë së tyre 6-vjeçare dhe presidenti Erdogan shprehu keqardhje për rrëzimin e avionit rus në muajin nëntor, çka i hapi rrugën pajtimit me Moskën, aq të domosdoshëm sidomos për turizmin e goditur turk.

 “Sulmi ka të gjitha shenjat e nja hakmarrjeje të ISIS-it, është si të thuash ndërmarrja e një aksioni paraprak ndaj Turqisë. Mendoj se njëri prej mesazheve që ai përcjell është ideologjik: Përse po pajtoheni me një forcë që në sytë tanë, është armike e Islamit?”, thotë Barcin Yinanc, analiste politike, Stamboll.

Goditje të tilla zakonisht janë të planifikuara që përpara, çka do t’i ulte shumë mundësitë që sulmi në aeroport të ketë qenë pasojë e lëvizjeve të qeverisë për normalizim të marrëdhënieve. Për Murat Yetkin, kryeredaktor i të përditshmes “Hurriyet”, ngjarja nuk është çudi të jetë rrjedhojë e politikës turke në Sirinë fqinje, ku ajo është shfaqur si aleate kyçe e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik.

“Politika e jashtëm turke ka pasur disa ulje-ngritje këto vitet e fundit. Shumë njerëz, partitë e opozitës dhe organizata joqeveritare e akuzojnë ekzekutivin se është politika e tij në Siri ajo që po i shkakton defektet e sigurisë”, tha Murat Yetkin, kryeredaktor “Hurriyet”.

Zyrtaret turq identifikuan një ditë më parë tre kamikazët që lanë pas vetes 44 të vrarë dhe rreth 240 të plagosur në aeroportin e Stambollit. Ata janë nga Rusia, Uzbekistani dhe Kirgistani. Avionët turq ndërkohë, mëngjesin e sotëm goditën e shkatërruan disa shënjestra të militantëve të Partisë së punëtorëve të Kurdistanit në Irakun Verior.

Top Channel