Korrupsioni në Argjentinë, kontroll pronave të ish-lideres

01/07/2016 00:00

Policia argjentinase kontrolli disa prona që i përkasin familjes së ish-presidentes së vendit Cristina Fernandez de Kirchner.

Operacionet e kryera në provincën Santa Kruz u urdhëruan nga një gjykatës si pjesë e një hetimi për korrupsion dhe mashtrim që ka lidhje me një kompani që zotërohet pjesërisht nga familja Kirshner. Mediat argjentinase thanë se policia po kërkonte dokumente dhe se kjo është hera e dytë që pronat e familjes Kirshner kontrollohen.

Gjykatësi urdhëroi që të kontrollohen zyra dhe apartamente në qytetet Rio Gallegos, El Calafate dhe El Chalten.

Mediat raportojnë se policia po kërkonte të dhëna që mund të lidhin kompaninë Los Sauces, që zotërohet nga fëmijët e ish presidentes, me skandalin korruptiv.

Vitin e shkuar, deputetja Margarita Stolbizer paditi ish presidenten dhe fëmijët e saj të rritur, Maksimo dhe Florencia, për mashtrim dhe pasurim të jashtëligjshëm.

Në një padi të veçantë, Kirshner u akuzua se ishte përgjegjëse për parregullsi të bankës qendrore, po ajo pretendon se bëhet fjalë për sulme politike nga administrata e presidentit Mauricio Makri.

Qeveria e këtij të fundit ka hapur disa hetime për korrupsion për vitet 2007 deri në 2015, kohë gjatë së cilës presidente e vendit ishte Cristina Kirchner.

Situata e saj u përkeqësua edhe më shumë në fillim të muajit, kur policia arrestoi një ish zyrtar të saj që hidhte çanta plot me para mbi murin e një manastiri për t’i fshehur. Pas numërimit, u zbulua se bëhej fjalë për thuajse 9 milionë dollarë.

Top Channel