Izrael-Palestinë, superfuqitë paralajmërojnë për “konflikt të përjetshëm”

01/07/2016 00:00

Disa prej fuqive më të mëdha botërore kanë dhënë alarmin e një “konflikti dhe pushtimi të përjetshëm” mes izraelitëve dhe palestinezëve, për sa kohë që asnjë prej të dyja palëve nuk ndërmerr veprime pozitive në aspektin e sheshimit të konflikteve të vjetra.

Në një raport të shumëpritur, i ashtuquajturi “kuartet” tha se dhuna e vazhdueshme, ndërtimi i blloqeve të banimit nga Izraeli dhe përçarja mes palestinezëve janë arsyet e minimit të shpresave për paqe. Sipas tij, vetëm negociatat e drejtpërdrejta dypalëshe do të mund t’i japin fund konfliktit të përgjakshëm.

Hera e fundit e bisedimeve direkte mes Izraelit dhe Palestinës ishte ajo e prillit 2014, kur edhe iu dha fund mes hidhërimit.

“Kuarteti”, i cili përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Rusia, është formuar në vitin 2002 si një grup ndërmjetësues në përpjekje për t’i dhënë një shtysë bisedimeve të ngecura për paqe.

Raporti i së premtes identifikon tri aspekte kyçe që vazhdojnë t’i “hedhin benzinë zjarrit” të konfliktit, e këto janë: dhuna e vazhdueshme, terrorizmi dhe nxitja; zgjerimi i blloqeve të banimit prej izraelitëve; si dhe mungesa e kontrollit të Rripit të Gazës nga Autoriteti Palestinez, i cili e ka selinë në Bregun Perëndimor.

Raporti vjen në një kohë tensionesh të përshkallëzuara mes Izraelit dhe Palestinës, për shkak të një vale sulmesh vdekjeprurëse të palestinezëve ndaj izraelitëve, si dhe forcimit të masave të sigurisë së Izraelit kundër palestinezëve.

Plot 35 izraelitë kanë mbetur viktima të sulmeve me thika dhe makina të drejtuara nga palestinezët drejt turmave me hebrenj që prej tetorit të vitit të kaluar, gjithashtu mbi 200 palestinezë janë vrarë gjatë së njëjtës periudhë, shumica e të cilëve agresorë.

Top Channel