Paktet tregtare, Trump: Rinegociim ose largim

30/06/2016 00:00

Kandidati “de facto” për presidencën nga radhët e Partisë Republikane, Donald Trump, deklaroi se do të rinegociojë marrëveshjet tregtare, do të tërhiqet nga to nëse nuk është i kënaqur dhe se do të përdorë fuqinë ekzekutive për të ndrequr debatet tregtare me Kinën, nëse zgjidhet president.

Trump fajësoi politikanët për rënien e prodhimit në vend. Sipas tij, politikanët amerikanë kanë ndjekur rrugën e globalizimit duke shpërngulur vendet  e punës, pasurinë dhe fabrikat amerikane në Meksikë apo vende të tjera.

Miliaderi njujorkez tha se nuk sheh asnjë mënyrë për të riparuar partneritetin transpaqësor, një pakt tregtar me 12 vende të miratuar së fundmi, duke propozuar largimin e SHBA-ve nëse zgjidhet, pasi ky pakt dëmton vendin.

Trump kritikoi edhe marrëveshjen e tregtisë së lirë me Kanadanë dhe Meksikën, duke thënë se do ta nxjerrë SHBA nga ajo nëse nuk rinegociohet. Trump mori si shembull referendumin britanik dhe duke lëvduar popullin e ishullit mbretëror tha se ata morën në dorë fatin e tyre dhe këtë duhet të bëjnë edhe amerikanët.

Biznesmeni i shndërruar në politikan  tha se do të përballet me Kinën, një manipulator valute, siç e cilësoi ai, që zhvlerëson monedhën e saj për të pasur avantazh në tregje.

Ai tha se nëse zgjidhet president, të gjithë vendet që veprojnë si Kina do të përballem me taksa dhe tarifa të reja, pasi SHBA nuk mund të pranojë të mashtrohet kaq lehtë.

Top Channel