Një shfaqje mbi metamorfozën e individit drejt pushtetit, ku ky i fundit simbolizohet nga karrigia.

Pushteti i postit ka ngacmuar koreografin e ri Eltion Merja, të sjellë krahas 4 balerinëve të tjerë idenë e tij, në projektin ‘Koreolabos’. Ky projekt vjen në edicionin e tij të katërt në TKOB, si një hapësirë dedikuar koreografëve të rinj.

“Mora një spunto për të krijuar pushtetin e karriges. Është një individ që vjen nga hiç, synon pushtetin”, tregon koreografi.

Karrigia është pikënisja, por edhe finalizimi i ëndrrës së personazhit kryesor, i cili në nisje një idealist i pastër, por që me t’u pushtuar nga ethet e pushtetit, e sheh karrierën si një mjet për të realizuar ambiciet e tij, në rrugën drejt lartësimit të vetvetes. Për koreografin kthim pas nuk ka: fundi tragjik është i vetmi shpëtim.

“E çoi personazhin deri në atë pikë që i pranon të gjitha gabimet dhe dorëheqja nuk është ajo që duhet të bëjë ai, por vetëvrasja është ajo që ndoshta e shpëton edhe nga vet situata dhe nga uni i tij i brendshëm”, shprehet koreografi Merja.

Pesë pjesët koreografike të artistëve të rinj do te shfaqen për publikun në datat 29 dhe 30 qershor në TKOB.

Top Channel