Kosovë, kërkohet seancë dëgjimore për Demarkacionin

28/06/2016 00:00

Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane ka kërkuar seancë dëgjimore në Kuvendin e Kosovës ku do të diskutohet për Demarkacionin me Malin e Zi. Në këtë seancë është propozuar që të ftohet edhe kryetari i Komisionit qeveritar për demarkacion Murat Meha si dhe njohës tjerë të kësaj çështje.

Deputetja Vjosa Osmani tha se Komisioni për Integrime një herë e ka ftuar Komisionin qeveritar për demarkacion që të vij e ta njoftoj komisionin rreth demarkacionit, takim ky i cili kishte dështuar për shkak se vetura e Murat Mehës ishte sulmuar nga aktivistë të partive opozitare dhe pastaj kjo çështje sipas saj është lënë anash.

“Ne e kemi pas në agjendë të këtij komisioni para dy javësh raportimin e komisionit shtetëror për demarkacionin, patëm arrit një pajtim unanim në këtë komision që të ftohet komisioni për demarkacionin meqenëse çështja e demarkacionit po konsiderohet si kusht për liberalizim in e vizave dhe meqë çështja e liberalizimit të vizave dhe ato kriteret të cilat deri tani janë plotësuar dhe ato që nuk janë plotësuar gjithmonë bien në fushë veprimtarinë e këtij komisioni, për shembull sot ka pas me raportu ministri i Drejtësisë edhe për çështjen e luftimit të krimit e korrupsionit si kriter për liberalizim. Herën e kaluar kjo nuk u arrit për shkak të një incidenti që e kishte vetura e zotit Meha dhe mua mu krijua përshtypja thua se i harruam të gjitha ato që i diskutuam dhe po e lënë tash këtë punë dhe nuk po e ftojmë fare, kështu që nuk e di pse është tejkaluar ajo çështje, a është ftuar përsëri komisioni, pse e ka pas një incident nuk do të thotë që nuk ka nevojë më të ftoeh sërish”, tha Osmani.

Edhe anëtari tjetër i komisionit, Bislim Zogaj pajtohet që fillimisht deputetët të njoftohen me këtë çështje pasi, sipas tij nuk ka informata të mjaftueshme në mënyrë që kur demar kacioni si pikë e rendit të ditës të shkojë në Kuvend, të votojë për ose kundër.

“Në qoftë se nuk arrijnë që të vijnë dy palët qoftë në komision, qoftë në parlament për të më bind vota ime do të jetë abstenim se nuk kam siguri as pro as kundër kështu që nëse nuk vjen dikush të na sqaroj për momentin është abstenim vota ime”, tha Zogaj.

Ndërkohë, anëtarja e VV-së në këtë komision, Donika Kada Bujupi, tha se marrëveshja për Demarkacion është nënshkruar nga Hashim Thaçi në kundërshtim të Rezolutës që ishte nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës, andaj si e tillë nuk do të lejohet të kalojë.

“Sepse ne këtë fazë kur veç se po pretendohet dhe në fakt po deklarohet madj e edhe me ultimatume siç e kemi dëgjuar para 3-4 ditëve nga Hashim Thaçi që duhet të ratifikohet nga Kuvendi brenda 10 ditës që është një ultimatum për deputetët për Kuvendin që është në kundërshtim në fakt edhe me ndarjen e pushteteve në Kosovë është e papranueshme që ne të ofrojmë një derë të vogël për të arritur kjo marrëveshje që është kundërkushtetuese dhe që e ka shkel rezolutën e Kuvendit të cilën e kemi nxjerrë të gjithë bashkë”, tha Kadaj-Bujupi.

Komisioni për Integrime po ashtu e miratoi shqyrtimin e Projektligjit për Kundërvajtje. Kurse pika e rendit të ditës e cila ishte raportimi i ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi në këtë komision, u shty për 4 korrik pasi që ministri Kuçi nuk ishte pjesëmarrës për shkak të një udhëtimi zyrtar.

Top Channel