Dinari valuta e dytë në Kosovë, BQK pranon dhe hesht

26/06/2016 00:00

Lejimi që të shkelet Kushtetuta e Republikës së Kosovës nga Banka Qendrore e Kosovës, e cila duhet të jetë rregullator i ekonomisë së vendit, duket të jetë normale për guvernatorin Bedri Hamza. Qytetarët nëpër komuna me shumicë të minoritetit serbë në Kosovë vazhdojnë të shfrytëzojnë valutën serbe “Dinari” për këmbime mallrash e shërbimesh të ndryshme.

Kjo dukuri është e ndaluar me ligjet dhe rregulloret e Kosovës, për faktin se ajo ka valutë zyrtare Euron.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza ka pranuar për “KosovaPress” se në zonat e banuara me serbë përdoret valuta serbe. Banka Qendrore madje ka licencuar një banke të Republikës së Serbisë e cila funksionon me dinarë.

“I marrim dinarë e blejmë me dinarë. Dinarin e marrim nga Serbia. Pagën e marr nga Serbia”, thotë një qytetar i minoritetit serb nga Graçanica, që është vetëm 5 kilometra nga kryeqendra e Republikës së Kosovës, Prishtina.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kapitulli I, neni 11 thuhet: Në Republikën e Kosovës, si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme. Në çdo dokument apo raport saktësohet qartë që valuta e vetme në Kosovë është euro. Në uebfaqen zyrtare të BQK-së është e qartësuar se cilat monedha mund të përdoren dhe si e vetme mbetet euro.

Kosova duket se është vendi i vetëm në Evropë që lejon valutën e një shteti tjetër, duke e dëmtuar me qindra milionë shtetin dhe duke rritur ekonominë joformale. Në lokalet apo supermarketet e Republikës së Kosovës nuk mund të blesh me lekë, franga, dollarë apo ndonjë valutë tjetër, por mund të blesh me dinarë.

“KosovaPress” ka vizituar qytetin e Graçanicës dhe atje shkëmbimet tregtare bëhen kryesisht përmes dinarit, madje kjo për banorët është shumë normale. Ata tregojnë që pagat nga Serbia i marrin përmes bankës“Komercialna Banka”, e cila ka licencë nga BQK-ja, dhe se paratë aty i marrin me dinarë ose edhe me euro, dhe për ata nuk paraqet ndonjë problem.

Dega e bankës serbe “Komercialna Banka” shkëmben valutën dinar, e për këtë është në dijeni edhe guvernatori Hamza. Ai tha se kjo nuk paraqet ndonjë problem. Këtë luks të shkëmbimit të parave varësisht si dëshiron nuk e ofron asnjë vend në rajon. Maqedonia, që ka si valutë denarin e saj, nuk pranon asnjë blerje me monedhën e vendeve fqinje.

Top Channel