Leskaj: Korrupsioni kërcënon ekonominë. Problem, abuzimi në hidrokarbure

20/06/2016 00:00

Kryetari i KLSH, Bujar Leskaj deklaroi se korrupsioni i lartë dhe abuzimet me pasuritë publike janë kërcënim për ekonominë kombëtare.

“Një nga risqet më të larta për ekonominë e vendit tonë është korrupsioni i kthyer në sistem në administratën tonë shtetërore, risku i shfrytëzimit pa kriter të pasurive natyrore, i keqmenaxhimit të konçesioneve, sidomos në marrëveshjet hidrokarbure dhe mosmenaxhimi i mirë i partneritetit publik-privat, me një kosto tejet të rëndë për buxhetin e shtetit”, deklaroi Leskaj.

Kreu i KLSH-së kërkoi kontroll më të fortë të kontratave konçesionare për të mbrojtur interesat e publikut.

“Për më tepër, për partneritetin publik-privat ka patur reagime edhe nga institucione ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore apo USAID. Ka patur shqetësime për mangësi në studimet e fizibilitetit dhe në të dhënat për raportin kosto-perfitim, që dëshmojnë moskryerjen si duhet dhe mosfillimin e analizave paraprake të riskut”, nënvizoi Leskaj.

Veç abuzimeve me paratë publike, Leskaj listoi si rreziqe të tjera për ekonominë borxhin e lartë, rënien e eksporteve dhe rritjen e pabarazisë.

Top Channel