Shqiptari i dyshuar për vrasjen dhe zhdukjen e një çifti pensionistësh britanikë u arrestua ne Luksemburg. Emigranti 42-vjeçar nga Kosova, Ali Qazimaj, u gjet në një hotel pas një kërkimi 2 javor ndërkombëtar.
Siç bëri të ditur policia e Kontesë së Suffolk, një pjesëtar i stafit të hotelit identifikoi Qazimajn nga fotografitë që kishte parë në internet duke lajmëruar më pas autoritetet.
Hetuesit e kontesë po bashkëpunojnë me Agjencinë Kombëtare të Krimit, Prokurorinë dhe autoritetet e Luksemburgut për të kërkuar ekstradimin e shtetasit kosovar, pas lëshimit të urdhërarrestit kundër tij lidhur me vrasjen e Peter dhe Sylvia Stuart.
Zhdukja e çiftit nga Mill Lane në Weybread, u raportua në polici më 3 qershor. Më vonë gjatë ditës autoritetet gjetën trupin e 75-vjeçarit, Peter Stuart, në një pyll jo shumë larg shtëpisë ku banonte. Ekspertiza mjekoligjore konfirmoi se ai kishte vdekur si pasojë e plagëve të shumëfishta me thikë.
Ndërkohë, bashkëshortja 69-vjeçare vazhdon të jetë e zhdukur. Edhe pse kërkimet për gjetjen e saj vijojnë, policia theksoi se po e trajton rastin si vrasje. 42-vjeçari besohet të ketë qëndruar në vend edhe tre ditë pas vrasjes.
Më vonë u zbulua se ishte larguar me traget për në Kalais, 1 ditë pasi policia zbuloi trupin e viktimës. I dyshuari kërkoi azil në Britani pas përfundimit të luftës në Kosovë, duke siguruar edhe pasaportë britanike. Ai besohet se kishte lidhje me dhëndrin e çiftit, i cili gjithashtu është vënë në pranga.
Top Channel