Policia në Tajlandë po zhvillon një operacion ndaj një tempulli shumë popullor për të arrestuar kryemurgun e tij, i cili kërkohet pasi dyshohet për korrupsion. Phra Dhammajayo akuzohet se ka përvetësuar fondet e tempullit Dhammakaya dhe gjithashtu për pastrim parash.
Kryemurgu 72-vjeçar prej muajsh nuk del nga tempulli që gjendet në veri të kryeqytetit Bangkok, duke e justifikuar mosdaljen para autoriteteve me shëndetin e tij të dobët. Ai dhe shumë prej mbështetësve të tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se janë të motivuara politikisht. Mijëra të devotshëm të këtij tempulli budist janë grumbulluar jashtë tij, duke komplikuar përpjekjet e policisë për të hyrë brenda.
Madje, agjentët e paarmatosur u ndalën nga murgjit në hyrje të tempullit, pavarësisht se kishin një mandat për arrestimin e kryemurgut. Autoritetet tajlandeze thanë se po negociojnë me zyrtarë të tempullit për ta zgjidhur situatën paqësisht dhe pa përdorur forcën. I themeluar në vitet ’70, tempulli Dhammakaya bën kontrast të fortë me ato tradicionalë. Ai duket si një kult karizmatik dhe ofron meditime të koreografuara në masë në ndërtesën e tij të çuditshme me formën e një disku fluturues.
Tempulli është bërë shumë tërheqës në shoqërine tajlandeze që po ndryshon me shpejtësi dhe rrjedhimisht ka marrë edhe shumë donacione, të cilat autoritetet thonë se janë keqpërdorur dhe përvetësuar nga kryemurgu. Ndërsa tempulli i kërkon besnikëri të verbër ndjekësve të tij, kritikët thonë se ka shtrembëruar mësimet tradicionale të budizmit. Rasti i tempullit Dhammakaya nuk është i vetmi, fatkeqësisht, pasi vitet e fundit janë zbuluar me dhjetëra tempuj budistë ku murgjit abuzojnë dhe përvetësojnë fondet, në kundërshtim të plotë me traditën plotësisht jo materialiste të budizmit.
Top Channel