Masakra e Orlandos, debat për kontrollin e armëve

16/06/2016 12:10

Një senator amerikan u bë shkas për një debat maratonë 15-orësh mbi kontrollin e armëve pas masakrës në klubin gay të Orlandos, në Florida. Chris Murphy përdori teknikën e bllokimit të procedurave në përpjekjen e gjetjes së një kompromisi mbi çështjen e armëve, të mbetur në vendnumëro.

Demokrati i kushtoi një pjesë të madhe të kohës tragjedisë së shkollës fillore “Sandy Hook” në shtetin e tij të lindjes, Konektikat, dhjetorin e vitit 2012. Dhe kur kishte folur për më shumë se 9 orë, në sallën e Senatit u shfaqën shkurtimisht edhe dy djemtë e tij të vegjël: 4 dhe 7 vjeç.

“Shpresoj ta kuptoni një ditë përse po e bëj të gjithë këtë”, tha Murphy, duke iu drejtuar nga foltorja djalit të tij të madh.

“Kur e di që je në rrugën e  duhur, nuk duhet të heqësh dorë, por të vazhdosh të përpiqesh sepse ajo është e vetmja mënyrë për t’ia dalë mbanë”, tha ai. Pushteti lokal i Orlandos ka krijuar një qendër asistence për familjarët e viktimave të episodit tragjik të së dielës. Buddy Dyer, kryetar bashkie i Orlandos, u shpreh: “Mund të vini këtu për çdo lloj nevoje, qoftë për asistencë ligjore, qoftë për ndihmë këshillimore, ndihmë për udhëtime, ndihmë për organizimin e varrimit, për marrjen e certifikatës së vdekjes ose për çdo gjë tjetër që ju vjen nëpër mend”.

I ati i agresorit, Omar Mateen shprehu keqardhjen e tij për jetët e humbura prej  gjestit ekstrem të të birit e tha se të gjitha vendet duhet të bashkohen e ta eleminojnë Shtetin Islamik: “Djali im përqafoi idetë e ISIS-it, që do të thotë se dhe ne jemi viktima të terrorizmit. Po të mos ekzistonte një grup si ISIS-i, atij nuk do t’i shkonin nëpër mend gjëra të tilla dhe e gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur”.
 
Ndërkohë, ka dalë në dritë videoja e një dokumentari të fokusuar tek derdhja masive e naftës nga platforma “Deepëater Horizon” në Gjirin e Meksikës, 6 vjet më parë, ku Omar, i cili asokohe punonte si roje plazhi natën, shfaqet tepër i indinjuar prej katastrofës mjedisore e thotë se askujt nuk i bëhet vonë për atë që po ndodh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA