Autoritetet egjiptiane pretendojnë se kanë pikasur mbetjet e avionit të “EgyptAir” të zhdukur muajin që shkoi mbi Detin Mesdhe. Në deklaratën e lëshuar prej tyre thuhet se janë identifikuar zonat kryesore ku ndodhen pjesët e avionit dhe një sondë nënujore robotike ka dërguar pamjet e tyre të para.
Pjesët e “airbus”-it A320 janë lokalizuar diku mes ishullit grek të Kretës dhe brigjeve egjiptiane.
Fluturimi MS804 me 66 persona në bord u rrëzua në 19 maj teksa udhëtonte nga Parisi drejt Kajros. “Airbus”-i u zhduk nga ekranet e radarëve grekë e atyre egjiptianë pa dërguar asnjë sinjal për ndihmë. Objekte që pluskonin në ujë e të identifikuara si të avionit egjiptian u gjetën pak ditë më pas, 290 km në veri të Aleksandrisë. Zona e kërkimit ishte një prej më të thellave në Mesdhe, ku në disa vende llogaritet të mbërrijë edhe në më shumë se 3 000 metra.
Ekipet e kërkimit diktuan në fillim të qershorit sinjale nga një prej kutive të zeza të “airbus”-it, por nuk premtonte shumë: ekspertët kishin paralajmëruar se lëshimi i sinjaleve nga regjistruesi i zërit dhe të dhënave të fluturimit të MS804-ës do të përfundonte në 24 qershor, kohë kur llogaritej të binin bateritë e tyre.
Shkaqet e aksidentit vazhdojnë të mbeten mister. Rikuperimi i kutive të zeza është i një rëndësie kyçe në këtë drejtim, pasi mund të sqarojë nëse shkaku i fatkeqësisë ishte një difekt mekanik, rrëmbimi i avionit apo një bombë në bord.
Top Channel