Vazhdon lufta e reagimeve mes pozitës dhe opozitës për foton “Rama-Obama”. Pas përgjigjes së Kryeministrisë ndaj kallëzimit penal të PD, kjo e fundit ka reaguar sërish duke deklaruar se shefi i qeverisë ndodhet në gjendje të dëshpëruar.
“Reagimi i dëshpëruar i Ramës përmes zyrës së tij të propagandës konfirmon faktin së është ai shtetasi i huaj që ka porositur pagesën e paligjshme prej 80 mijë dollarë për të përfituar një foto me presidentin Obama”, thuhet në deklaratën e radhës.
Sipas opozitës, “ky që nuk mungon të komentojë gjithçka mbi këtë rruzull, ka 5 ditë që hesht teksa zyra e tij e propagandës cilëson “Reuters” dhe “Zërin e Amerikës” si media të paguara nga Partia Demokratike”.
“Ndërkohë që e pret një tjetër padi për këtë shpifje të pacipë, Edi Rama vazhdon të mos ju përgjigjet pyetjeve: ku i mori 80 mijë dollarë kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë euro? A janë këto 80 mijë dollarë para rryshfeti apo korrupsioni? Çfarë ju premtua në këmbim sponsorizuesit të 80 mijë dollarëve?”, vijon njoftimi i PD.
Partia më e madhe e opozitës i ka bërë thirrje Ramës që “të mos fshihet pas zyrës së propagandës, por të dalë para shqiptarëve dhe para drejtësisë për t’u përballur me të vërtetën”.
Top Channel