Raporti për terrorizmin, DASH vlerëson rolin e Shqipërisë

02/06/2016 00:00

Në raportin vjetor të terrorizmit, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se kërcënimi global nga ISIS është rritur, pasi rrënjët e Shtetit Islamik janë përhapur në shumë rajone duke përfshirë Azinë Juglindore, Kaukazin Verior të Rusisë deri ne Afrikë.

Në kapitullin për Shqipërinë, DASH e ka cilësuar vendin tonë si një mbështetës të fortë të përpjekjeve kundër terrorizmit për llogari të pjesëmarrjes në koalicionin global që lufton ISIS. Këtu raporti përmend edhe furnizime  të konsiderueshme me arme dhe municione që Shqipëria i ka siguruar forcave peshmerga në Irakun verior.

Po ashtu, raporti vlerëson legjislacionin shqiptar i cili parashikon dënime për aktet e terrorizmit, për të gjitha burimet e financimit te tij. Po ashtu dënon transaksionet me personat që janë në listën e sanksioneve të OKB-së; si edhe rekrutimin apo stërvitjen e atyre të cilët përgatitën për të luftuar përkrah ISIS.

Policia shqiptare ka zgjeruar njësinë e Anti-terrorizmit nga 7 në 76 forca dhe se po zhvillon plane për trajnimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kësaj njësie. Por sipas DASH , Shqipërisë i mungon kapaciteti për të mbledhur të dhëna biometrike për shtetasit e saj dhe i zotëron ato vetëm në rastet kur personat kanë karta identiteti dhe pasaporta biometrike.

Në raport thuhet se korrupsioni, i kombinuar me një sistem drejtësie që funksionon dobët, vazhdoi të pengojë përpjekjet për të vendosur rend në të gjitha nivelet në Shqipëri.

Sa i përket Kosovës, raporti i Departamentit të Shtetit thotë se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik është rritur gradualisht qe nga konflikti i vitit 1999. Raporti përmend rreth 300 luftëtarë nga Kosova të cilët luftojnë krah grupeve ekstremiste në Irak dhe ne Siri.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel