Sanders sfidon: Përballë meje, Trump merr fund

31/05/2016 00:00

Pretendenti demokrat për kandidaturën presidenciale, Bernie Sanders, tha se veç tij nuk ka mundësi tjetër, nëse demokratët duan një kandidat që të mposhtë rivalin Donald Trump.

“Dua të jem i qartë me ju dhe t’ju them se nëse unë shpallem kandidat zyrtar për presidencën, Donald Trump mori fund. Në çdo sondazh kombëtar apo çdo sondazh në shtete të veçanta, unë e mposht Trumpin me një avantazh dy shifrorë”, deklaroi Sanders, duke ju referuar sondazhit më të fundit në Kaliforni që sugjeron se senatori i Vermontit është 17 pikë përpara Trump, nëse ata të dy do të përballen për presidencën.

Sanders theksoi gjithashtu faktin që ai nuk ka mbështetje nga komitete politike, ndërsa rivalja e tij Clinton ka mbledhur miliarda dollarë prej disa të tillëve.
 
“Ne nuk përfaqësojmë shtresën e miliarderëve. Ne nuk përfaqësojmë Uoll Stritin. Ne nuk i duam paratë e tyre”, deklaroi Sanders para mbështetësve të tij, duke shtuar se nuk e ka të qartë si do të përballet Clintoni me grupet e interesit, duke qene se ka pranuar para prej tyre.

Por, pavarësisht sulmeve, Sanders tha se nuk e përjashton mundësinë që të bëhet zëvendëspresident për Hillari Clinton. Senatori i Vermontit tha se aktualisht është i përqendruar tek zgjedhjet në Kaliforni, por nuk tha nëse do ta refuzonte këtë ofertë, nëse Clinton do t’ia bënte.

Top Channel