Greqi-Çeki, arrestohen 20 falsifikatorë dokumentesh për emigrantët

31/05/2016 00:00

Policia në Greqi dhe në Republikën Çeke ka arrestuar 20 persona të dyshuar se falsifikonin dokumente, përfshirë viza dhe pasaporta për personat që hyjnë në Bashkimin Europian.

“Europol” bëri të ditur se dokumentet kapnin vlerën e 3.600 dollarëve dhe janë shitur në Europë, Afrikë, Azi dhe në Lindjen e Mesme. Por rrjeti kriminal është i shtrirë edhe më larg.

Rreth 100 persona janë në kërkim në Greqi dhe në shtete të tjera të bllokut. Grupi është i ndarë në dy pjesë, njëra drejtohet nga Sudani, e pjesa tjetër nga Bangladeshi.

Policia greke ka deklaruar se rrjeti kriminal ishte përfshirë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore përtej kufijve. Të dy grupet kanë falsifikuar karta identiteti, viza të zonës “Schengen”, patenta për shoferë, pasaporta, karta regjistrimi për azil dhe lejeqëndrimi për në shtetet e bllokut.

Sikurse komentojnë mediet ndërkombëtare, shitja mendohet se ka pasur një treg të gjerë për shkak të kërkesave të shumta nga refugjatët që duan të strehohen në Europë. Ndërsa në Paris, për herë të parë është ndërtuar një kamp refugjatësh, i cili do të vihet nën funksion gjatë javëve të ardshme.

Kryetarja e bashkisë, Anne Hidalgo deklaroi se aty do të akomodohen qindra azilantë të pastrehë dhe se kampi do të përmbushë të gjitha kriteret e Kombeve të Bashkuara.

Top Channel