Emigrantët, edhe Parisi planifikon ngritjen e një kampi

31/05/2016 00:00

Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo ka bërë të ditur planet e saj për të ngritur një kamp të ri për emigrantët në periferinë veriore të kryeqytetit francez brenda 6 javëve të ardhshme, ndërsa vendndodhja e saktë e “kampit humanitar”, siç e ka quajtur ajo, do të bëhet e ditur në ditët e ardhshme pas proceseve inspektuese të vendeve të mundshme.

Qindra emigrantë, ku përfshihen refugjatë që u largohen luftrave dhe varfërisë si dhe emigrantë të ashtuquajtur “ekonomikë”, janë vendosur nëpër kampe aspak të përshtatshme nëpër qytet. Ndërkohë, numri i të vdekurve nga udhëtimet me varka apo gomone të papërshtatshme për lundrim në detin Mesdhe, gjatë javës së kaluar, ka kapur tashmë shifrat e 1.000 të tillëve pas rishikimit.

Zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, Flavio di Giacomo e bëri të ditur këtë shifër të re, pas përllogaritjes fillestare të së dielës nga agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët që deklaronin 700 të mbytur.

Kampi i ri në Paris pritet të ofrojë objekte ditore dhe strehim përgjatë netëve. Deri më tani, Franca kishte ngritur kampe zyrtare emigrantësh pranë qyteteve portuale të Kalesë (Calais) dhe Dunkirkut, të cilat shfrytëzohen nga emigrantët pa dokumentacion si rrugë e mundshme për të kaluar drejt Britanisë.

Top Channel