Përurohet Monumenti i miqësisë Shqipëri-Kuvajt, Veliaj: Mirënjohje për mbështetjen

30/05/2016 00:00

U përurua sot në lulishten përballë Bibliotekës Kombëtare monumenti i miqësisë Shqipëri-Kuvajt.

Në ceremoninë e organizuar morën pjesë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Kuvajtit në vendin tonë, Fayez Al-Jassim, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, Abdulëahab Al-Bader.

Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky monument është dëshmi, së pari e miqësisë së ngushtë që ka ekzistuar mes dy vendeve tona dhe, së dyti, shenjë mirënjohje ndaj ndihmës dhe kontributit që ka dhënë Kuvajti në ndërtimin e një sërë veprash publike në Shqipëri, por në mënyrë të veçantë në Tiranë.

“Ne jemi falenderues për bujarinë e popullit kuvajtian, që na kanë mbështetur në kohëra të vështira përmes projekteve të panumërta, që kanë patur një qëllim të vetëm: përmirësimin e kushteve të jetesës për shqiptarët. Projekti shkollor që ne do të jetësojmë në Tiranë membështetjen bujare e Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, është njëri prej këtyre rasteve. Mijëra nxënës në Tiranë do të marrin një edukim më të mirë falë kësaj mbështetje”, deklaroi Veliaj.

Nga ana e tij, ambasadori i Kuvajtit, Fayez Al-Jassim vlerësoi miqësinë dhe marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve, duke konfirmuar se bashkëpunimi tashmë i konsoliduar do të vazhdojë edhe më tej.

“Fondi i Shtetit të Kuvajtit, që ka funksionuar që prej vitit 1993, ka ndihmuar në zhvillimin e projekteve të ndryshme. Ne kemi filluar prej disa vitesh bashkëpunimin e miqësisë midis Shqipërisë dhe Kuvajtit me bashkëpunime të mëtejshme dhe gjej rastin për të falenderuar Shqipërinë dhe qeverinë e Shqipërisë për bashkëpunimin dhe për efortin që na japin në këtë bashkëpunim ekonomik”, u shpreh ambasadori, Fayez Al-Jassim.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel