Konflikti Azerbajxhan-Armeni, Gjiknuri: Mos dëmtoni “TAP”-in

29/05/2016 00:00

Përplasjet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë vijuar edhe në ditën e dytë të punimeve, e pikërisht në Komitetin e Shkencës dhe Teknologjisë, ku ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri ishte duke raportuar lidhur me rëndësinë e gazsjellësit “TAP” për sigurinë energjetike të Europës.

Ka qenë përfaqësuesi i Azerbajxhanit, ai që ka theksuar se ekzistojnë “forca të errëta” të cilat nuk duan këtë gazsjellës, por pa përmendur asnjë shtet.

I menjëhershëm ishte dhe reagimi i palës armene, ndërkohë që përplasjet mes dy vendeve shkuan deri aty sa përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar të kërkonte rishikimin e marrëdhënieve të Asamblesë parlamentare të NATO-s me këto dy shtete.

Për ministrin Gjiknuri, çdo konflikt cënon mbarëvajtjen e projektit “TAP”, ku edhe pse nuk përmendi shtete konkrete, qartazi iu referua Rusisë, si një nga vendet që duan ta bllokojnë këtë projekt të rëndësishëm.

“Energjia është një nga elementët më të rëndësishëm të gjeopolitikës. Energjia është burim shpeshherë i konflikteve, por edhe element i rëndësishëm tregues i forcës. Patjetër që do të ketë fuqi, që do të investojnë në mënyrë të vazhdueshme, që Europa të mos diversifikohet dhe ky projekt të mos zbatohet në kohë apo të mos përfundojë me sukses”, tha Damian Gjiknuri.

Top Channel