“Truri” i rrjetit energjetik, qendra e re e OST menaxhon fluksin në kohë reale

28/05/2016 00:00

Truri elektronik i rrjetit energjetik shqiptar, qendra e re dispeçer e OST është një sistem kompleks monitorimi dhe operimi për rrjetin e tensionit të lartë.

Vetëm investimi teknologjik kushton mbi 16 milionë euro, ndërsa ndërtesa rreth 6,5 milionë euro. Në kohë reale menaxhohen flukset e energjisë që importohen, eksportohen apo prodhohen.

“Me nënstacionin Podgorica 2, që është një linjë 400 Kv , neve jemi duke importuar 150 MW, me nënstacionin Kardia në Greqi jemi duke eksportuat 186 MW, megjithëse kjo është e ndryshueshme” sqaron Elio Voshtina, drejtor i drejtimit operativ.

I gjithë tregu vëzhgohet brenda një salle moderne, ndoshta më e përparuara në rajon. Sistemi i ri i quajtur SCADA/EMS mundëson balancimin rrjetit në çdo lloj situate dhe jepet komanda për hidrocentralet e kaskadës së Drinit.

“Ne jemi të lidhur me hidrocentralet në kaskadën e Drinit, të cilët i kemi në kontroll automatik. Ne ndryshojmë pikën e punës të çdo gjeneratori”, thotë Voshtina.

Po në kohë reale monitorohen edhe rrjetet europiane me të cilët ndërvepron sistemi ynë energjetik.

“Në qoftëse ka ndonjë gjendje kritike ose ndonjë element në rrjetin e transmetimit në ndonjë OST të Europës, kjo gjendje shfaqet menjëherë. Kjo bëhet për faktin që të gjitha OST-të e tjera të jenë në dijeni të këtij problemi”, thotë Anida Paci, drejtore e shërbimeve teknike.

Pikërisht instalimi i këtij sistemi ka qenë kushti kryesor për anëtarësimin e OST në rrjetin europian të operatorëve të sistemit të transmetimit për energjinë elektrike.

Top Channel