S’ka rritje të çmimit. Deri në fund të vitit nuk do të ketë tarifim të ri të energjisë

28/05/2016 16:00

Operatori i Sistemit të Energjisë nuk do të kërkojë rritje apo ndryshim të çmimit të energjisë për 6-mujorin e dytë të këtij viti. Burime brenda kompanisë konfirmojnë se Entit Rregullator të Energjisë nuk do t’i kërkohet tarifim i ri për konsumatorët familjarë dhe bizneset që furnizohen nga OSHEE.

Çmimi aktual për familjarët është 9,5 lekë për kilovat/orë. Në qershor pritet që ERE të vendosë për çmimet e reja që do të jenë në fuqi deri në dhjetor të 2016. Tre kompanitë e sistemit kanë aplikuar për ndryshime të tarifave në kuadër të rishpërndarjes së kostove përkatëse në zbatim të funksioneve të reja, pa ndikuar tek çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin fundor.

Sipas OSHEE-së, përmirësimi treguesve mundëson që të zbatojë një program investimesh për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes pa patur nevojë që të kërkojë ndryshim të çmimit të energjisë për konsumatorët.

Ndërkohë, Kooporata Elektro-Energjetike Shqiptare i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë që brenda tarifave për 6-mujorin e ardhshëm të përfshihen edhe kostot e vazhdimësisë së shlyerjes së borxheve të vjetra të akumuluara deri në 2013, kryesisht ato ndaj hidrocentraleve të vogla.

Do t’i takojë tashmë ERE-s që të vlerësojë aplikimet e kompanive dhe të përcaktojë vendosjen e ekuilibrit në rishpërndarjen e kostove brenda operatorëve për funksionet pa ndikuar tek çmimi i energjisë elektrike tek konsumatorët fundorë.

Top Channel