“Zika”, shkencëtarët: Shtyni ose spostoni Lojërat Olimpike nga Rio

27/05/2016 00:00

Më shumë se 100 shkencëtarë me famë në botë kanë dhënë alarmin se Lojërat Olimpike të Rio de Janeiros duhen zhvendosur e zhvilluar diku tjetër, ose të shtyhen në një periudhë tjetër, për shkak të përhapjes së virusit Zika.

Grupi në fjalë thotë se të dhënat mbi virusin problematik e kthejnë në një çështje joetike faktin e të zhvilluarit të këtyre lojërave, e këtë e kanë bërë të ditur përmes një letre të hapur drejtuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ata i bëjnë thirrje OBSH-së që të rishikojë urgjentisht udhëzimet mbi Zikën, një virus që lidhet me defekte serioze te të porsalindurit. Megjithatë, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik njoftoi gjatë këtij muaji se, nuk shohin asnjë arsye për të shtyrë Olimpiadën për shkak të këtij virusi.

Përhapja e gjerë e sëmundjes përmes mushkonjave nisi në Brazil rreth një vit më parë, ndërkohë që tashmë, më shumë se 60 vende dhe territore të botës vazhdojnë të hasin probleme me transmetimin e këtij virusi.

Simptomat e Zikës janë të pandjeshme fillimisht, por në letër, ekspertët thonë se virusi shkakton lindjen e fëmijëve me çrregullime të theksuara mendore, për shkak të trurit të pazhvilluar mirë, dhe me kokë më të vogël se normalisht. Madje rrallëherë mund të shkaktojë edhe sindroma neurologjike fatale te disa të rritur.

Letra është nënshkruar nga 125 shkencëtarë ndërkombëtarë, mjekë dhe gjykues të etikës mjekësore, nga institucione të tilla si Universiteti i Oksfordit, por edhe i Harvardit dhe Yale në Shtetet e Bashkuara.

Ata citojnë dështimin e programit të çrrënjosjes së mushkonjave në Brazil, si dhe sistemin “e dobësuar” shëndetësor të vendit amerikano-latin si arsye bindëse për të shtyrë apo transferuar diku tjetër Olimpiadën, gjithmonë në emër të “shëndetit publik”.

“Një risk i panevojshëm do t’u paraqitet rreth 500 mijë turistëve të huaj që do të zbarkojnë nga të gjitha vendet për të ndjekur Lojërat Olimpike, të cilët mund të marrin virusin dhe kur të kthehen në vendet e tyre të përbëjnë rrezik endemik”, thuhet në letër. Rreziku më i madh është ai nëse atletët do të preken nga virusi dhe, veçanërisht ata nga vendet e varfra, të cilat nuk e kanë përjetuar ende problemin e Zikës.

Top Channel