Nishani dekreton rektorët, dekreti i parë për Konin

27/05/2016 00:00

Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar rektorët e rinj të universiteteve publike në vend, të cilët u zgjodhën pas procesit të votimit, mbajtur në muajin prill.

Por, ajo që ndodhi në zgjedhjet e rektorëve dhe kërcënimi i njërit prej tyre, nuk mbeti jashtë fjalës së Presidentit Nishani.

“Zgjedhjet e fundit të organizmave drejtues, treguan veç të tjerash se profesorati triumfon edhe në rastet e caktuara të trysnisë nga krimi. Profesorati dhe studentët janë të angazhuar për t’u përballur me çdo sfidë të kohës së sotme dhe duket se do të arrijnë të sfidojnë edhe vetë politikën, duke sjell ndryshimin e madh, ashtu siç e sollën në vitet ‘90”, u shpreh Presidenti Nishani.

Mes emrave të dekretuar, mungonte Rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Cuka.

Zyra e shtypit e Presidencës, e kontaktuar nga Top Channel, u përgjigj se Presidenca është në pritja të disa përgjigjeve nga një institucion të cilit i janë drejtuar me shkresë, por pa specifikuar se për cilin institucion bëhet fjalë dhe çfarë përgjigjesh priten.

Rektorët e rinj të universiteteve shqiptare

Universiteti i Tiranës: Mynyr Koni
Universiteti i Mjekësisë: Arben Gjata
Universitetit Politeknik: Andrea Maliqari
Universiteti Bujqësor: Bahri Musabelliu
Universiteti i Arteve: Kastriot Çaushi
Universiteti i Durrësit: Kseanela Sotirofski
Universiteti i Vlorës: Roland Ziso
Universiteti i Elbasanit: Skënder Topi
Universiteti i Shkodrës: Adem Bekteshi
Universiteti i Gjirokastrës: Bektash Mema
Universiteti i Korçës: Ali Jashari

Top Channel