Trump, zyrtarisht kandidat për president

26/05/2016 00:00

Donald Trump ka siguruar këtë të enjte numrin e mjaftueshëm të delegatëve të nevojshëm për të siguruar nominimin republikan për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë mënyrë përfundon atë që konsiderohej si një rritje e pamundur, që ka ngritur në këmbë të gjithë peisazhin politik dhe përgatit gjasat për një fushatë edhe më të ashpër në vjeshtë të këtij viti.

Sipas numërimit që ka bërë “Associated Press”, Trump e ka kaluar me vetëm 1 numrin e nevojshëm të delegatëve, pasi ka siguruar edhe një numër delegatësh të pazotuar me partinë, të cilët i kanë thënë agjencisë së lajmeve se do ta mbështesin atë në konventën e korrikut. Mes tyre është edhe kryetarja e republikanëve të Oklahomës, Pam Pollard.

“Mendoj se ai ka prekur atë pjesë të elektoratit që nuk pëlqen situatën aktuale ku ndodhet vendi ynë”, tha Pollard. “Ndaj dhe nuk e kam problem ta mbështes Trumpin”.

Për të siguruar nominimin republikan për president nevojiteshin 1237 delegatë. Trump ka arritur aktualisht, sipas numërimit të “AP”, 1238 delegatë gjithsej. E ndërsa janë ende 303 delegatë në lojë, që priten të deklarojnë mbështetjen e tyre në primaret e 5 shteteve, që do të shprehen më 7 qershor, Trump do ta ketë tepër të lehtë të shmangë ndërhyrjet në Konventën partiake në Cleveland, në korrik.

Trump, një politikan rishtar i cili prej vitesh ka dhënë vetëm komente “helmuese” mbi deklaratat para kombit nga prapavija, por që kurrë nuk kishte garuar deri më tani për ndonjë post, luftoi përballë 16 pretendentëve të tjerë republikanë në një garë tepër të ashpër dhe të papëlqyeshme ndonjëherë.

Steve House, kreu i Partisë Republikane në Kolorado, si dhe një delegat i paangazhuar që konfirmoi mbështetjen e tij për Trumpin i pyetur nga “AP”, tha se i pëlqen karakteri i miliarderit nga pikëpamja e një biznesmeni. “Lidershipi është lidership. Nëse ai do të mund të rrethohet me politikanë të talentuar, besoj se do të jetë shumë mirë për të”.

Disa të tjerë që konfirmuan vendimin për të mbështetur Trumpin ishin pak më të ftohtë, duke thënë se kishin dhënë mbështetjen e tyre pa ndonjë ndienjë detyrimi, por vetëm sepse ai thjesht ka fituar primaret në shtetet e tyre respektive.

Rrugëtimi i Trumpit për nominimin presidencial mes republikanëve nisi me një të përpjetë e thepisur. Manjati i pasurive të paluajtshme dhe bashkëshortja e tij, Melania, e zbritën këtë “shkallë lëvizëse” në qarqet e lobimit të “Kullës Trump” më 16 qershor të vitit 2015, në atë shpallje që shumëkush prej vëzhguesve tha se nuk duhej të ishte bërë kurrë. Miliarderi, i cili kishte flirtuar shpesh në të kaluarën me mundësinë për të garuar për ndonjë post, deklaroi se po niste fushatën për të siguruar nominimin presidencial të republikanëve.

Fjalimi i tij i parë u përqëndrua në aftësinë e kandidatit për të dominuar titujt kryesorë mediatikë, me deklarata provokuese, ofendime dhe hiperbolizime. Ai i quajti meksikanët “përdhunues”, duke premtuar se do të ndërtonte një mur përgjatë kufirit amerikan me Meksikën, ndërkohë që shtoi më tej se do të ndalonte myslimanët të hynin në SHBA për një kohë të pacaktuar.

Politika e tij ishte ajo e vendosjes së pseudonimeve për rivalët: “Marco i vogël” Rubio, “I dobëti” Jeb Bush dhe “Gënjeshtari Ted” Cruz, ishin ndër më kryesoret që shkaktuan edhe reagimet më të ashpra ndaj Trumpit. Megjithatë ata ranë njëri pas tjetrit, duke lënë Trumpin të vetmin të mbijetuar në primaret republikane.

Mitingjet e tij u bënë ngjarje që “duheshin” parë me patjetër dhe “magnet” për publikun e lirë e të paangazhuar deri më tani me asnjë krah politik, siç quhen edhe ata të pavendosurit. Në skenë ai iu dha disi më shumë populizmit, duke thithur me mijëra mbështetës, shumë prej të cilëve iu bashkuan thirrjeve të tij “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, apo duke thirrur edhe në kor “Ndërtojeni murin”.

Të gjitha këto shfaqje shkaktuan protesta anembanë Amerikës, teksa demonstrues të paktë shpeshherë u larguan me forcë nga mitingjet e tij. Një miting në Çikago u anulua pasi mijëra demonstrues rrethuan vendin e organizimit, ndërsa Shërbimet Sekrete nuk mundeshin ta siguronin të paprekur kandidatin. Kur votimet filluan, ai nuk kishte një hap të shpejtë…

Ai humbi në Ioëa në shkurt, duke mbetur pas Cruzit por la pas vetes Rubion. E mori veten në New Hampshire, ndërkohë që prej aty u angazhua fuqimisht për të fituar disa prej shteteve më të rëndësishme e duke humbur disa të tjera, por gjithsesi duke dominuar në të gjithë pjesën e mbetur të garës, ashtu sikurse edhe në numrin e delegatëve së fundi.

Gjatë kësaj kohe, të gjithë udhëheqësit e vjetër të republikanëve u shtangën dhe u shprehën të habitur nga rritja e pabesueshme e Trumpit. Shpesh e quajtën “mashtrues”, atë që dikur ishte një demokrat, por sërish dështuan ta ndalonin të siguronte numrin e “magjishëm” të 1237 delegatëve. Avash-avash, edhe udhëheqësit e vjetër nisën të takoheshin me Trumpin dhe stafin e tij, ndërsa prej shumë prej tyre manjati siguroi mbështetjen.

Trump, 69 vjeç, djali i një manjati të pasurive të paluajtshme të Nju Jork Sitit, e shtoi famën e tij gjatë viteve ’80-’90, duke mbikëqyrur shumicën e marrëveshjeve të pasurive të paluajtshme dhe duke shtuar me norma tepër të shpejta pasurinë e tij. Ai ishte “host” i një show televiziv si “The Apprentice”, e më pas u bë edhe autor i dhjetëra librave.

Megjithatë, fushata e gjerë mediatike dhe miliarda dollarë të shpenzuara për të, luajnë një rol të rëndësishëm, duke e vendosur Trumpin për muaj me radhë në qendër të vëmendjes në çdo cep të globit. Ai u kthye në provën më të fortë se nuk ka publicitet të mirë apo reklamë të keqe, por vetëm publicitet.

Aq më tepër kur përveç asaj të paguar me milionat e “perandorisë” së tij, atij iu bë edhe nga njerëz dhe vende të pamenduara:

“Mos e dhënë Zoti, besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-të dhe botën demokratike, pasi ai do të duhej të bënte disa prej gjërave që thotë se do të bëjë dhe, padyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme”, tha për CNN kryeministri Rama.

Sot të gjithë ata që folën kundër tij, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, duhet të reflektojnë. Ky i fundit edhe më shumë, pasi tashmë, njeriu që ai e quajti rrezik për botën, sot statistikisht është së paku 50 për qind President i Shteteve të Bashkuara.

Top Channel