Siri, kryekomandanti amerikan për Lindjen e Mesme kryen vizitë sekrete

22/05/2016 00:00

Kryekomandanti ushtarak amerikan për Lindjen e Mesme kreu një vizitë sekrete në Siri të shtunën. Zyrtarë amerikanë thanë se, gjenerali Joseph Votel, kreu i Komandës Qendrore amerikane, qëndroi për rreth 11 orë në Sirinë veriore.

Ai u takua me këshilltarët ushtarakë amerikanë që janë atje, si dhe krerët e forcave demokratike siriane, të cilat përbëhen nga forca rebelësh kurdë dhe arabë. SHBA-të kërkojnë që forcat lokale të mposhtin Shtetin Islamik, i cili ka pushtuar shumë territor në vend. Pas vizitës në Siri, gjenerali Votel tha se stërvitja e forcave lokale për të mposhtur ISIS-in ishte edhe strategjia më e drejtë.

“U largova që atje me besim në aftësitë e tyre dhe në vullnetin tonë për t’i ndihmuar. Mendoj se ky model po funksionon mirë”, deklaroi Votel.

Forcat demokratike siriane përbëhen nga rreth 25 mijë luftëtarë kurdë dhe 5.000 arabë, ndërsa Uashingtoni po përpiqet që të rrisë numrin e këtyre të fundit. Gjatë vizitës së Votel, komandantët arabë thanë se forcat e tyre kanë nevojë për më shumë ndihmë. Ata kërkuan mjete të blinduara, mitralozë, granatahedhëse dhe mortaja.

Zëvendëskomandanti i forcave demokratike siriane, Qarhaman Hasan tha se aktualisht ata po përdorin trafikantët për t’u armatosur dhe përmes kontrabandës nuk mund të bësh një ushtri të funksionojë. Edhe udhëheqësit fisnorë të zonës u kërkuan SHBA-ve që të bëjnë më shumë, ushtarakisht dhe me ndihma humanitare.

Top Channel