Zika, Obama insiston për më shumë fonde; Kongresi kundërshton

21/05/2016 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka kritikuar Kongresin që nuk mbështeti kërkesën e tij për 1.9 miliardë dollarë fond për të luftuar përhapjen e virusit të Zikës.

Obama paralajmëroi se vendi mund të përballet me “probleme më të mëdha” në të ardhmen. Komentet e tij erdhën pasi shifrat e fundit tregojnë se rreth 300 gra shtatëzënë në Shtetet e Bashkuara kishin rezultuar pozitive ndaj virusit.

Zika mendohet se shkakton defekte serioze në lindje dhe përhapet përmes mushkonjave dhe kontaktit seksual. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur virusin një emergjencë globale për shëndetin publik.

Ai mund të shkaktojë mikrocefali, siç njihet defekti i lindjes, i karakterizuar nga përmasa të vogla të kokës së fëmijës e që mund të vijojë duke shkaktuar probleme në zhvillimin e të miturve.

Deri tani në Brazil janë konfirmuar rreth 1.300 raste me mikrocefali, ndërkohë që mijëra raste të tjera po analizohen. Simptomat e virusit Zika janë ethet e buta, dhimbja e kokës, puçrrat, etj.

Ditën e premte, presidenti Obama deklaroi se Senati kishte rënë dakord vetëm për gjysmën e fondit të kërkuar, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve vetëm për një të tretën e tij.

Top Channel