Totozani: Ja si ramë në gjurmët e skandalit të Shkodrës

19/05/2016 00:00

Institucioni i Avokatit të Popullit ishte ai që zbuloi i pari skandalin në jetimoren e Shkodrës, duke ja kaluar më pas informacionin e grumbulluar nga vëzhgimi prokurorisë, që shkoi përtej këtyre informacioneve dhe prangosi katër prej punonjësve të kësaj qendre.

I ftuar në Top Story, Avokati i Popullit, Igli Totozani dha disa detaje sesi u bë zbulimi.

“Kemi dy muaj që pas ngjarjeve të dhunshme në Shkodër dhe Durrës, kishim ngritur një grup ndërsektorial dhe kemi bashkuar aty persona që vijnë nga mekanizmi i parandalimit të torturës, penalistë, psikologë, psikiatër dhe gjithë ky grup ka monitoruar 9 qendrat kryesore në Shqipëri dhe në Shkodër kemi marrë informacion. Dërguam aty grupin tonë që monitoroi për një ditë të tërë, diskutoi me fëmijët në mënyrë të veçantë, erdhi informacioni në kabinet mbi situatën që ishte gjetur pas këtyre bisedave dhe në atë moment ka urdhëruar që grupi të shtohej me penalistë. U bë monitorimi i dytë, prej disa ditësh kemi diskutuar me stafin tonë dhe në fund jemi dakortësuar që kemi të bëjmë me shpërdorim detyre dhe ja kemi referuar prokurorisë”, tha ai.

Ndërkohë, drejtorja e Shërbimit Social, Etleva Bisha tha se institucioni që ajo drejton ka gjetur parregullsi që në 2014 dhe ka bërë për këtë edhe denoncime në prokurori.

“Kemi denoncuar rastin në 2014 për neglizhime në këtë jetimore dhe kemi denoncuar rastin në Prokurori. Kemi informuar edhe ish-kreun e Bashkisë së Shkodrës për gjendjen në jetimore, që nuk bëri asnjë reagim për denoncimet tona”, tha ajo.

Top Channel