“Vjosa, jo diga”, protesta në Tepelenë; edhe nënkryetarja e PE

18/05/2016 00:00

Një protestë në mbrojtje të lumit Vjosa është mbajtur në Qesarat të Tepelenës. Në mesin e protestuesve, ambjentalistëve, artistëve e gazetarëve ishin edhe deputetë. Atyre i është bashkuar edhe nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek.

“Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësim në BE dhe do të ishte katastrofike nëse një nga thesaret më të vyera natyrore që vendi ka për të ofruar të humbasë. Të paktën, qeveria duhet të vlerësojë projektin e Poçemit sipas standardeve europiane, para se të firmosë lejen për ndërtimin e tij”, deklaroi Lunaçek.

Protesta mblodhi mbi 200 persona. Me ata u bashkua edhe deputetja socialiste Arta Dade. Me sloganin, “Vjosa, jo diga”, protestuesit i kërkuan kryeministrit Rama të ndalë ndërtimin e hidrocentraleve në këtë lum.

“Është një mrekulli që një lum i tillë ekziston ende dhe përbën një mundësi të madhe për Shqipërinë dhe Europën. Bllokimi i këtij lumi do të ishte një krim ndaj natyrës dhe do të tregonte një mungesë kapaciteti kundrejt mbrojtjes së natyrës në Europë”, tha Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës.

Vjosa është lumi i fundit i egër në Europë dhe përbën një ekosistem dinamik të rrallë në kontinentin e vjetër. Në një largësi prej 270 kilometrash, që nga Malet e Pindit deri në detin Adriatik, lumi rrjedh i lirë dhe i pandërprerë.

Top Channel