Kriza në Venezuelë, opozita i bën apel ushtrisë: Me Kushtetutën apo Presidentin?

18/05/2016 08:35

Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë, Henrique Capriles Radonski i bëri thirrje ushtrisë që të vendosë nëse është në anën e Kushtetutës apo në anën e Presidentit Nicolas Maduro, pasi në vend u shpall gjendja e emergjencës.

Maduro lajmëroi gjendjen e emergjencës 60-ditore, duke i dhënë ushtrisë dhe policisë më shumë fuqi për t’u përballur me krizën e thellë ekonomike të vendit. Por, sipas Capriles dhe opozitës, ky dekret i jep presidentit fuqi jokushtetuese. Ai u kërkoi venezueljanëve që të injorojnë urdhrin e presidentit dhe të dalin në protesta.

“Ne, venezueljanët, nuk e pranojmë këtë dekret. Maduro po vendos veten mbi Kushtetutën. Që ta zbatojë dekretin, ai bën mirë të përgatitet për përdorimin e tankeve dhe avionëve. Ushtrisë po i them se po vjen ora e së vërtetës, për të treguar nëse është me Kushtetutën apo me Maduron”, deklaroi Capriles.

Ky i fundit tha se nuk po bën thirrje për “grusht shteti”, por po kërkon një mënyrë ligjore për të larguar Maduron nga pushteti. Gjendja e emergjencës nuk u pranua as nga Parlamenti, ku opozita ka shumicën, por Maduro tha se nuk i intereson kjo, pasi – sipas tij, – Parlamenti ka humbur vlefshmërinë politike dhe së shpejti do të shpërbëhet.

Prej vitesh, Venezuela vuan një krizë të rëndë ekonomike, për të cilën Presidenti Maduro fajëson opozitën dhe fuqitë e huaja. Por, ekspertë të ndryshëm thonë se kriza është thjeshtë pasojë e politikave të gabuara të Maduros dhe paraardhësit të tij, Hugo Chavez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA