Turizmi, Ekonomi takim me donatorët

14/05/2016 00:00

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes zhvilloi dje një takim me donatorët dhe  partnerët financiarë në vendin tonë për të diskutuar mbi zhvillimin e sektorin e turizmit në Shqipëri.

Ky takim, i pari i këtij lloji, u organizua në Plazhin e Gjeneralit, në Kavajë, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga Banka Botërore, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, përfaqësues nga ambasada e Gjermanisë në Tiranë, ambasada e Mbretërisë së Holandës, si dhe nga ambasada e Republikës së Çekisë, etj.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi bëri një prezantim të zhvillimeve kryesorë të sektorit, impaktin në ekonominë e vendit dhe objektivave për zhvillimin e tij në të ardhmen, shtyllat kryesore të industrisë dhe drejtimet kryesore të produktit turistik.

Turizmi përbën një potencial të madh të zhvillimit të ekonomisë së vendit dhe krijimit të vendeve të punës dhe përbën një nga gjeneratorët kryesorë të ekonomisë, tha Ministrja, ndërsa vuri theksin në rëndësinë e koordinimit të përbashkët të veprimeve në funksion të zhvillimit të turizmit, si në nivel kombëtar, ashtu dhe atë rajonal.

Sipas Ministres, Shqipëria do të njihet si një destinacion tërheqës turistik, mikpritës dhe autentik në Europë, bazuar në përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, kulturore dhe historike, që janë lehtësisht të arritshme nga tregu ndërkombëtar.

Ministria prezantoi përpara donotarëve një qasje me dy shtylla kryesore bashkëpunimi për të ardhmen; atë të kordinimit të ekspertizës lokale dhe ndërkombëtare në plotësimin e kornizës rregullatore të sektorit të turizmit në plotësim të ligj të turizmit.  Këtu, për Ministren,  duhet të përfshihet edhe përgatitja e strategjisë së zhvillimit të turizmit dhe ftoi donatorët që t’i bashkohen përpjekjeve për hartimin e këtij drafti.

Top Channel