Lu: Personave me aftësi të kufizuara iu duhet dhënë mundësia, jo mëshira

13/05/2016 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, së bashku me Ambasadorin amerikan, Donald Lu, morën pjesë në përfundimin e punimeve në Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional në Vlorë, për ta bërë atë të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.

Në këtë qendër, rreth 1200 persona ndjekin çdo vit kurse të formimit profesional, që iu mundëson atyre punësimin. Ndërsa, ministri Klosi deklaroi se përmes këtyre nismave, synohet punësimi i personave me aftësi të kufizuara.

Sipas ministrit, nuk është më koha që të cilësohet e mjaftueshme trajtimi financiar nga shteti për këtë kategori, prandaj Ministria e Mirëqenies Sociale ka strategjinë, përmes një pakete të plotë, në bashkëpunim me biznesin e pushtetin lokal po ju krijon personave me aftësi të kufizuar mundësi punësimi.

Ndërkohë, ambasadori Lu, apeloi tek institucionet e tjera që të përshtatin ambientet për t’i bërë të arritshme ato për personat me aftësi të kufizuara. Sipas tij, këta persona nuk nevojë për mëshirë, por për mundësi.

“Personat me aftësi të kufizuar nuk kërkojnë mëshirë apo keqardhje, por ata duan mundësi për të studiuar apo përgatitur për të qenë anëtarë plotësisht të integruar të shoqërisë”, u shpreh ambasadori Lu.

Top Channel