Iu prishën shtëpitë nga erozioni e termeti, ndihmë nga emergjencat civile

13/05/2016 14:55

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Drejtoria e Rezervave të Shtetit shpërdanë setin e ndihmave për 5 familje në Has dhe Bajram Curri, të cilat për shkak të fatkeqësive natyrore kanë humbur banesat.

Në fshatin Vranisht, të Hasit, Emergjencat Civile dorëzuan ndihmat tek familja e Rexh Fejzollit, banesa e të cilit është dëmtuar si pasojë e tërmetit, rreshjeve të dëborës dhe shirave.

“Kjo është një ndihmë në nevojë ekstreme që i jepet familjeve, pastaj pushteti vendor duhet të përgatisë dokumentacionin konform ligjit të Emergjencave Civile i cili detyron shtetin që të bëhet pjesëtar në minimizimin e fatkeqësisë të shkaktuar nga natyra dhe kompesohet 50% vlerës së banesës dhe 100% e orendive shtëpiake”, tha Shemsi Prençi, Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile.

Zgjidhja e vetme për familjet e prekura, ka qenë strehimi tek të afërmit e tyre.

“Shtëpia është shembur për shkak të tërmetit dhe siç e shikoni dhe vetë nuk banohet më dhe ne jetojmë tek të afërmit tonë”, tha Gëzim Fejzolli, banor i fshatit Vranisht.

Emergjencat Civile do të hartojnë edhe një plan për të shpërndarë pranë Bashkive paketat me setet e ndihmës në mënyrë që familjeve në nevojë tu jepet ndihmë sa më parë.

Top Channel