Orgita, një fëmijëri “mes hekurave”

Kemi udhëtuar drejt Fshatit Malmuner, të zonës së Zallbastarit, i cili për shkak të rrugës së keqe ka një largësi prej 4 orë nga kryeqyteti. 7 vite më parë në familjen Balliu, erdhi në jetë Orgita. Ajo vuan që nga lindja nga nje deformim ne shtyllën kurrizore.

E gjithë jeta e saj në këto vite është e lidhur ngushtë me një bust, i cili është thelbësor që ajo së paku të lëviz. Qesh rrallë dhe në sytë e saj vihet re një trishtim i thellë, i cili ia kufizon energjinë fëmijërore.
 
Për shkak të gjendjes së saj shëndetësore dhe largësisë së konsiderueshme të shkollës, Orgita qëndron në shtëpi. Ndaj Andi, vëllai i saj, e ndihmon të shkruaj.
 
Ata janë thuajse të pandashëm, që në momentin që i vëllai kthehet nga shkolla, prioriteti i tij është vetëm Orgita.

Petriti merret me blegtori e bujqësi, ku pjesa më e madhe e parave shkon për ekzaminimet e Orgitës.

Për Beharen dhe Petritin, prindërit e saj, e gjitha kjo i rëndon jo vetëm psikologjikisht, por edhe financiarisht. Me të ardhurat e pakta ata mezi arrijnë të mbajnë frymën.
 
Për shkak të sëmundjes së skoliozës, ajo është shtruar me bronkopleomoni 22 herë në spital. Para një viti, kur e gjithë zona ishte e mbuluar me dëborë, familja u gjet para një emergjence , xhaxhai i saj tregon se si e shpëtuan.

Prindërit e saj po plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për të qenë pjesë e listës së Ministrisë së Shëndetësisë për të bërë të mundur operimin e saj jashtë vendit. Ndaj duket se ka ende shpresë.

Top Channel