Viçi i ngordhur në thertore, AKU bllokon aktivitetin

10/05/2016 00:00

Menjëherë pas transmetimit të pamjeve  në emisionin investigativ “Fiks fare”, se si  një viç i ngordhur  futej në një thertore në Kamëz, është vënë në lëvizje Aautoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili mëngjesin e sotëm bllokoi  subjektin dhe ka dërguar për ndjekje penale drejtuesin teknik të tij

“Thertorja Koldashi,e  cila është thertorja ku ka ndodhur akti kriminal, siç e quajmë ne, u mor masa e bllokimit të menjëhershëm, kërkesa për revokimin e licencës që iu drejtua minsitrisë së Bujqësisë dhe do të fillojë procedim penal për drejtuesin teknik”, tha drejtori i AKU Tiranë.

Pronarët e thertores thonë se viçi nuk ishte i ngordhur. “Viçin e kemi vënë në kamion. Në moment është tërbuar dhe i kam rënë me vare në kokë dhe ka rënë pa ndjenja. Pastaj e kam tërhequr e kam vënë në thertore dhe e kam therrur. Nuk ka asnjë lloj problemi për mendimin tim”, thotë ai.

Bagëtitë që therren në këto thertore shkojnë për të furnizuar fabrikat e sallamit dhe nënprodukteve të tjera të mishit apo edhe dyqanet e mishit nëpër qytete.

Sipas AKU-së, është detyrë e  drejtuesit teknik të thertores dhe shërbimit veterinar të bashkisë të kontrollojë cilësinë e mishit.

Top Channel