Bashkia e Tiranës kërkon ndërrimin e trupës së gjyqtarëve që do të shqyrtoje ditën e mërkurë çështjen për shfuqizimin e lejes së ndërtimit për godinën 17-katëshe tek diga e liqenit.
Sipas kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, është përshpejtuar zhvillimi i kësaj seance me kërkesën e palës së paditur dhe se në trupën gjykuese ka të afërm të tyre.
“Unë nuk e kam kërkuar këtë, do të thotë që e ka kërkuar pala tjetër. Derisa ia ka dalë do të thotë që pala tjetër paska fuqi mbi gjykatën për të ndryshuar radhën, paska fuqi dhe të marr vendimin që dëshiron ai. Jo vetëm kaq, ndërrohet trupi gjykues dhe ka anëtar të trupit gjykues të atyre që administrojnë firmën. Kjo është arsyeja që nesër kemi kërkuar ndryshim të trupit gjykues”, tha Erion Veliaj.
Veliaj i kërkon të prononcohet presidenti i Republikes si kryetar i Këshillit të Larte të Drejtësisë që ka lejuar një gjë të tillë.
“A lejoi si kryetar i KLD-së ndërrimin e trupës gjykuese. Presidenti i Republikës a emëroi një kolegj për gjykatën adminsitrative, që të kishte këta kunetër e kushërinj të këtyre personave që po ndërtojnë në këtë trupë gjyqësore. Presidenti i Republikës duhet të japë përgjigjie për këtë, ose do të rrezikojë të mbyllë karrierën me një turp më të madh se turpi kur vandalizoi parkun e lodrave”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Veliaj thekon se përveç togave të zeza kjo leje duhet gjykuar nga publiku siguria e të cilit cënohet nga ndërtimi i pesë pallateve në këtë zonë.
“Është dhënë një leje në kundërshtim me ligjin pasi ka hyrë në fuqi moratoriumi. Është dhënë një leje në një zonë që nuk ka një plan të detajuar vendor. E për as kohë komiteti i digave, autoriteti kryesor për këtë punë, është shprehur në kundërshtim të hapur me këtë leje, atëherë sigurisht që leja nuk qëndron”, tha Veliaj.
Top Channel