Biçikletat 4-rrotëshe, risia e fundjaves në “Tirana Zoo Park”

08/05/2016 00:00

Këtë fundjavë Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë së Tiranës nisi një eksperiencë të re për frekuentuesit e Kopshtit Zoologjik.

“Pedalon” është projekti më i ri që nxit dhe promovon pushimin aktiv, përdorimin e biçikletave dhe mjeteve të lëvizjes së shëndetshme e të gjelbër, thuhet në një njoftim zyrtar.

“Kështu nga sot, çdo fundjavë, frekuentuesit e Tirana Zoo Park do të kenë mundësi të shëtisin me 4-rrotëshe pa pagesë, për një aktivitet rekreativ më shumë, një kënaqësi për prindër e fëmijë dhe për gjithë vizitorët”, thotë njoftimi.

Ky shërbim vjen falë bashkëpunimit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit me grupin “GearBike”. “Kjo përpjekje e re po rikthen familjet e fëmijët në Tirana Zoo Park, ku po punohet për normalizimin e situatës, për sigurinë dhe kushtet për aktivitetet rekreative”, vijon njoftimi për shtyp, ku nënvizohet se, po rritet bashkëpunimi edhe me Qendrën e Edukimit Ambientalist, EDEN.

“Për herë të parë ka rradhë në hyrje dhe së shpejti do të ketë edhe një kënd lojrash aktiv për frekuentuesit e këtij parku tematik”, përfundon njoftimi zyrtar.

Top Channel