
Edhe pse tema e takimit të radhës të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian ishte krijimi i Shkollës Verore për Integrimin, reforma në drejtësi zuri sërish hapësirën kryesore. E pranishme, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin ishte sërish e drejtëpërdrejtë në fjalën e saj.
“Fatkeqësisht Shqipëria ka humbur shumë shanse përsa i përket ndërtimit të shtetit. Kjo, sidomos në shekullin e njëzetë dhe kjo nuk ka qenë zgjedhja juaj. Por ama, në këtë moment, kjo punë që është bërë duhet vazhduar. Kjo është zgjedhja juaj. Ju të gjithë e dini që nuk jeni të vetëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Ne këtë punë do ta bëjmë bashkë, ne nuk do të heqim dorë, por ama nuk mund ta bëjmë ne këtë në vend që ta bëni ju”, deklaroi Vlahutin.
Kryetarja e Këshillit, Majlind Bregu përdori një thënie të Faik Konicës për të përkufizuar ata që janë kundër reformës në drejtësi.
“Dy shifra përputhen si rrallë herë në dy sondazhe të ndryshme në Shqipëri, mbështetja për integrimin europian dhe ajo për reformën në drjetësi. Kush nuk e kupton dhe nuk e lexon dot këtë, Konica po të ishte gjallë do të thoshte: ‘e ka ngase e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës’”, u shpreh Bregu.
Edhe per nënkrytarin e grupit socialist, Taluant Balla, gjithçka ishte shumë e qartë. “Nuk besoj që ka ndonjë deputet në Kuvendin e Shqipërisë që mund të hezitojë të japë votën në favor të reformës në drejtësi”, tha Balla.
Në fjalën e tij, drejtori ekzekutiv i fondacionit Shoqëria e Hapur, Andi Dobrushi theksoi rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në çështjet e integrimit dhe nënvizoi se shkolla do të ndihmonte në këtë gjë.
“Fondacioni pa dyshim e ka vlerësuar si prioritet dhe do të mbeshtesë nismën e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për organizimin e një shkolle verore për integrimin, që besoj se do të fuqizojë edhe rolin e shoqërisë civile në çështjet e integrimit”, tha Dobrushi.
Top Channel