Integrimi, Gjosha me të rinjtë: Roli juaj, jetik në këtë proces

06/05/2016 18:35

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha mori pjesë këtë të premte në forumin “Të rinjtë dhe Europa”, organizuar në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog, në  Kryeministri.

Të pranishëm në këtë forum ishin dhe ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin dhe diplomatë të tjerë. Në fjalën e saj, ministrja Gjosha falenderoi të rinjtë, të cilët pavarësisht vështirësive dhe sfidave, janë rikthyer në Shqipëri sepse duan ta shohin vendin e tyre më të zhvilluar dhe më pranë Europës.

“Nuk ka integrim më të mirë të një shoqërie sesa përmes një edukimi të mirë, formimi profesional. Në këtë mënyrë, përgjegjësia e të gjithë politkëbërësve bëhet edhe më e madhe, pasi kanë detyrimin që t’i kthejnë mbrapsht këtë besim të rinjve shqiptarë. Kanë detyrimin t’i motivojnë ata të angazhohen maksimalisht që përmes reformave të çojnë përpara vendin në mënyrë që t’i ofrohen mundësi të reja këtij brezi. Sepse janë pikërisht të rinjtë e ardhmja e këtij vendi”, u shpreh ministrja Gjosha.

Më tej gjatë fjalimit, ministrja e vuri theksin edhe tek rëndësia e reformës në drejtësi, si kusht për të vijuar më tej me procesin e integrimit.

“Reforma në drejtësi mbetet çelësi për të hedhur këtë hap dhe unë besoj se klasa politike shqiptare duhet të mendojë mbi të gjitha për ju kur bëhet fjalë për të kaluar sa më shpejt këtë reformë të rëndësishme, e cila ka të bëjë me besimin te një demokraci e konsoliduar dhe tek shteti i së drejtës”, tha Gjosha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA