Pak ditë më parë në Tiranë u mbajt një konferencë rajonale e grave parlamentare, që duhet ti bënte bujë rolit në rritje të grave në politikë, por u errësua nga rrëfimi i një deputetje shqiptare në Shkup.
Ermira Mehmeti vuri në pah vulnerabilitetin e rolit të gruas në politikë, por edhe më shumë. Për këtë të tjera çështje që lidhen me gruan në vendimarrje u fol këtë të enjte në Top Story me të ftuar deputeten e BDI-së në Parlamentin e Maqedonisë, Kaltrina Azizi, Majlinda Bregu, ish-ministre e Integrimit, Mesila Doda, Blerina Gjylameti nga PS dhe analistët Mustafa Nano dhe Arjan Vasjari.
Në rrëfimin e parë pas bërjes publike të këtyre përgjimeve, Ermira Mehmeti i quajti të montuara dhe fjalën e mbylli me një pyejte drejtuar kolegeve të veta që kishin mbushur sallën e Kuvendit të Shqipërisë në konferencën rajonale për rolin e gruas në politikë. “Pas gjithë kësaj, a ja vlen qëndrimi më në politikë?”, pyeti ajo. Për kolegen e saj, Kaltrina Azizi po.
“Mund të kalohet. Për mua figura e Ermira Mehmetit ka qenë frymëzimi për t’u marrë me politikë në Maqedoni. Një femër e fortë si Ermira mund t’ja dalë dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për një montim që ka për qëllim diskreditimin e femrës shqiptare në politikë në Maqedoni dhe më gjerë. Ne jemi solidarizuar dhe ajo që do doja ta vendos në pah është fakti që ato ditë, kishte shumë parti opozitare, edhe femra që e shpërndanin me të madhe këtë përgjim dhe që nuk e kishin kuptuar që është vepër tendencioze”, thotë ajo, duke shtuar se pas kësaj, femrat shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë do të mendohen dy herë për t’u përfshirë në politikë.
Majlinda Bregu thotë se ishte në dijeni të kërcënimeve që mbërrinin në adresë të Ermira Mehmetit, ndërsa shton se gratë në politikë duhet të sakrifikojnë shumë herë më shumë sesa burrat.
“Ermirën e njoh prej vitesh dhe përpara se të kishte këtë kërcitje publike lajmi e dija për kërcënimet dhe informacionet që kishin ardhur që po përgatitej diçka. Ermira pati kurajo për t’u përballur dhe për të mos lënë veten për t’u shpallur si viktimë. Megjithatë, gratë marrin gjithmonë dozën e pamerituar të pisllikut të politikës dhe të jetës publike. Kjo ndodh kudo në botë. Kemi sot edhe Hillary Clinton që garon për të udhëhequr SHBA dhe gjatë gjithë karrierës së saj është përfolur e shkruar për të. Nuk e bën kurrë një burrë në politikë sakrificën që bën një grua që përfshihet në politikë”, deklaron ajo.
Mesila Doda thotë sesa më shumë protagoniste të jetë gruaja në politikë, aq më tepër vihet në shënjestër.
“Gratë në vendimarrje duhen për të qenë të pranishme, por askush nuk i do si element thelbësor. Problemi më i madh është kur një grua nis e ngre zërin. Këtu kriset e gjithë skema. Kjo ndodh edhe këtu në Shqipëri. Gratë, po arritën në ngrenë zërin vihen në kryq dhe nuk lihet baltë dhe pështymë pa u hedhur”, u shpreh ajo.
Për të ilustruar më mirë këtë, Doda solli përvojën personale, atë kur u përplas me drejtuesit e PD, përplasje që pasoi largimin e saj drejt PDIU-së sot.
“Këta zotërinjtë, para një muaji dolën për të thënë se kryeministri i ka fyer në Parlament. E kanë menduar këta sesa baltë kanë hedhur mbi mua? Gjithë njerëzit e tyre të bodrumit kanë hedhur të gjitha për të sharë dhe 40 fyrje njëra pas tjetrës, njëra më e ndyrë sesa tjetra. Kanë kërkuar ndonjëherë ndjesë ata për një njeri që ishte i tyre dhe ata menduan që e kishin kundërshtar? S’e kanë thënë kurrë. Kjo është mënyra ku gjithsecili duhet të shohë nga vetja”, tha Doda.
Edhe deputetja socialiste, Blerina Gjylameti iu drejtua përvojës personale për të ilustruar vështirësinë dhe sfidat e një gruaje që hyn në politikë.
“Pyetja e Ermirës na shoqëron cdo ditë, s’kam shumë vite në politikë por nuk i kam të pakta rastet kur më shoqëron dilema a ja vlen apo nuk ja vlen. Qaj shumë rrallë dhe momenti i fundit që kam qarë ishte dita kur hyra në Parlament. Prisja diçka ndryshe, prisja të gjeja nivelin më të lartë të përfaqësimit, por jo. Ndoshta në këtë kemi pak faj edhe ne gratë sepse nuk jemi aq solidare”, tha Gjylameti.
Mustafa Nano tha se barazia në përfaqësim është një sfidë që nuk përballet vetëm Shqipëria, por edhe vende të tjera shumë të zhvilluara. Nano fajëson mentalitetin maskilist të shoqërisë, por edhe gratë e përfshirë në politikë, që sipas tij nuk duhet të viktimizojnë veten.
“Kjo është një sfidë e madhe që do të kërkojë kohë dhe ne duhet ta luftojmë me idenë që edhe ne që pretendojmë që jemi të gdhendur mirë nuk jemi maskilistë. Ne jemi maskilistë, madje edhe femrat në shoqërinë shqiptare sillen si maskiliste”, u shpreh Nano.
Arjan Vasjari thotë se problemet e gruas në Shqipëri janë komplekse dhe ka një këshillë për gratë politikane.
“Femrat nuk duhet të këmbëngulin për barazi sepse barazitetin e kanë vendet e prapambetura. Është Ruanda, Bolivia, Senegali, Kuba. Pra janë vende ku numri ëshë arritur, por prania e femrës nuk duhet të jetë në shifra, duhet të jetë në pushtet në vendimarrje”, u shpreh ai.
Top Channel