Mbrojtja e zonave natyrore, marrëveshje mes Bashkisë së Tiranës dhe AKZM-së

04/05/2016 18:45

Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura dhe ajo e Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë së Tiranës kanë arritur një marrëveshje për përmirësimin e menaxhimit dhe mirëmbajtjes së Parkut Kombëtar të Dajtit.

Sipas një njoftimi për shtyp, qëllimi i kësaj marrëveshjeje, e para pas reformës së re administrativo-territoriale, është përcaktimi i formave të bashkëpunimit dypalësh në mënyrë që të sigurohet aksesi i qytetarëve tek burimet dhe zonat e mbrojtura natyrore.

“Marrëveshja shpreh ambicjet e Bashkisë së Tiranës për rritjen e cilësisë së jetesës së banorëve të kryeqytetit, duke promovuar Kurorën e Gjelbër dhe zona të tjera natyrore atraktive përmes një roli direkt në mbrojtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve në territorin përkatës”, thuhet në komunikatë.

Në kuadër të marrëveshjes, AKZM dhe APR do të menaxhojnë së bashku këtë zonë, duke nxitur e promovuar zhvillimin e aktiviteteve edukative e sportive, si dhe projekteve për përmirësimin e infrastrukturës së parkut malor.

Në bazë të saj parashikohet ndërtimi i plotë i sinjalistikës, krijimi dhe mirëmbajtja e zonave tematike, shëtitores, shtigjeve të këmbësorëve, rrugës së biçikletave, si dhe një “info-point” i ri. Në këtë mënyrë, edhe Dajti do të bëhet pjesë e platformës Tirana Ime Outdoor, aplikacion i bashkisë së kryeqytetit për aktivitetet në natyrë. 

Top Channel